Studimi: Izolimi total nuk pati efekt te ulja e kurbës

Masat drakoniane të izolimit dhe urdhrat për të qëndruar në shtëpi dhe për të mbyllur bizneset jo-esenciale kanë pasur pak efekt në luftën ndaj koronavirusit në Europë.

Kështu thuhet në një studim nga universiteti ‘East Anglia’ në Britaninë e Madhe.

Sipas Daily Mail, të njëjtët shkencëtarë kanë zbuluar megjithatë se mbyllja e shkollave dhe ndalimi i grumbullimeve masive të njerëzve ka dhënë efekt në ngadalësimin e virusit në kontinent.

Shkencëtarët tani kanë bërë thirrje për lehtësimin e masave të izolimit.

Gazeta shkruan se ky zbulim vë në dyshim nëse izolimi total i Britanisë, i shpallur më 23 mars, ishte i nevojshëm.

Disa ekspertë thonë se politikat e distancimit social të shpallura që më 16 mars e kanë dhënë efektin te kriza.

Ndërkohë ka pasur zëra se Britania e Madhe mund ta ketë kaluar përpara se të zbatonte politikën e izolimit total.

Së fundmi në mbarë Europën ka zëra se virusi mund të ketë qarkulluar shumë përpara nga sa është konfirmuar zyrtarisht. Këto zëra janë shtuar edhe në Shqipëri.