Biznesi: Më lehtë 10 mln euro kredi nga bankat, se për paga nga Garancia Sovrane

Biznesi shqiptar në kushte e krizës, i është drejtuar edhe "Garancisë Sovrane", kredisë nga bankat për të paguar punonjësit dhe mos t'i nxjerrë ata pa punë. Por, duket se edhe pse shteti është afruar me këtë sistem mbështetjeje biznesit, ai nuk është i lehtë për t'u marrë. Instrumenti i zgjedhur nga qeveria, Garancia Sovrane, parashikon që biznesi i madh të përfitojë një financim deri në 3 muaj të fondit të pagave, që mund të merret në formë kredie te bankat ku qeveria luan rolin e garantit.

Pasi janë përpjekur, shoqatat e bizneseve janë ankuar nga pengesat burokratike të shumta që u kanë nxjerrë bankat dhe po u vonojnë dhënien e pagës, punonjësve.

Sipas tyre, “bankat nuk japin kredi për pagat e punonjësve. Më lehtë është të marrësh kredi 10 mln euro prej tyre sesa të pretendosh kredinë për pagat".

Ndaj shoqatat kanë kërkuar të rregullohet marrëveshja e Qeverisë me bankat: “Qeveria të marrë përsipër riskun e kredive për pagat”, theksojnë bizneset.