Marku: Ramacovid-19 po hakmerret ndaj studentëve dhe pedagogëve

Analisti Mark Marku, në një shkrim te gazeta Panorama, thotë se kryeministri Edi Rama po përdor situatën e koronavirusit për t’u hakmarrë ndaj studentëve dhe pedagogëve.

Marku i referohet urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë për rikthimin në auditore, por edhe mungesës së një urdhri të dytë për të shtyrë zhvillimin e zgjedhjeve nëpër universitete.

Marku shkruan se Edi Rama i ka shpallur prej vitesh luftë universitetit, dijes, pedagogëve dhe studentëve.

Duke iu referuar urdhrit të parë për rikthimin në auditore, Marku shkruan: “Urdhri i ministres Shahini shpreh së pari faktin sesi halucinacionet e Kryeministrit Rama shprazen mbi kolonat e shtetit ligjor, duke e shkërmoqur ditë pas dite. Sesi akti ligjor i një dite zhvlerëson dhe bie në kundërshtim me të gjitha aktet paraardhëse: me aktet e mëparshme të nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtjen nga koronavirusi, si ai i distancës sociale, i ndalimit të grumbullimit me më shumë se pesë persona në çfarëdo lloj ambienti, i garantimit të masave sanitare etj., etj. Bie në kundërshtim me ligjin për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 23 qershor, me ndryshimet e shumëkritikuara në Kodin Penal. Dhe është një urdhër i nxjerrë nga Rama, se ndryshe do na duhej të mendonim se Besa Shahini është ajo që urdhëron Ramën dhe jo e kundërta. Është një urdhër kundër të gjithë urdhrave dhe ligjeve të mëparshme të nxjerra për mbrojtjen e jetës të kërcënuar nga Covid-19. Pra, është një urdhër vdekjeje, nëse besojmë se urdhrat dhe ligjet e mëparshme janë bërë për të mbrojtur jetën. Urdhër për vdekjen e shtetit dhe të pedagogëve e studentëve njëkohësisht”.

“Ndërkohë që do të duhej, po për shkak të shtyrjes së kësaj gjendjeje deri më 23 qershor, që edhe zgjedhjet të shtyheshin të paktën deri një muaj pas kësaj date. Rama këtu godet me nxjerrjen e një urdhri dhe me mosnxjerrjen e një urdhri tjetër, i cili do të bënte shtyrjen e zgjedhjeve. Sepse edhe Kushtetuta e përmban mosmbajtjen e zgjedhjeve në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe në kushtet e fatkeqësisë natyrore. Zgjedhjet do të duhej të shtyheshin për të njëjtat arsye, që nuk duhej të hapej universiteti, pra, për të mbrojtur jetën e studentëve dhe pedagogëve, por jo vetëm”.

“Gjithkush mund të thotë, dhe e thotë këto ditë, po pse po ndodh kjo gjë në universitetet shqiptare, dhe a nuk është e mundur të gjenden zgjidhje që nuk rrezikojnë jetën e pedagogëve, studentëve dhe integritetin e zgjedhjeve në universitete? Natyrisht që ka. Të veprohet si në të gjitha shtetet e botës, ku edhe mësimi, edhe zgjedhjet, të zhvillohen pa rrezikuar as jetën e studentëve, as të pedagogëve, as autonominë dhe demokracinë universitare, pra, kur të jetë minimizuar ose zhdukur rreziku i Covid-19. Të veprohet siç po veprohet në të gjitha rastet e tjera edhe në Shqipëri, ku hapja mendohet të bëhet më e kontrolluar dhe më me pak rreziqe për qytetarët. Por Rama nuk e bën këtë dhe nuk do ta bëjë se ka hesape të vjetra me studentët dhe pedagogët. Janë ndër të paktët aktorë socialë që i janë kundërvënë pushtetit të tij absolut dhe janë përballur deri diku me të. Tashmë ka ardhur koha që ata të paguajnë për këtë, ka ardhur ora e hakmarrjes dhe hakmarrja e ka emrin Ramacovid-19,” thekson Marku.