Pas Mira Kazhanit, edhe Arbjan Mazniku merr dy rroga në kohë paqeje dhe lufte

Në kulmin e protestave të më të varfërve në të gjithë Shqipërinë për pagën e bukës së gojës, zyrtarë të lartë të pushtetit po përfitojnë pagat e dyta mbi njëmilionëshe brenda institucioneve të tyre. Një prej tyre është edhe Arbjan Mazniku, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, i asaj bashkie që duket se paska burime të pashtershme për të paguar "shërbyesit" e politikave dhe interesave të saj.

Veç pagës së tij prej 150 mijë lekësh në muaj, Mazniku rezulton se po përfiton edhe një pagë të dytë po nga bashkia: "Pagën e paqes" prej 100 mijë lekësh të reja çdo muaj si administrator i shoqërisë ECO Tirana, siç raporton JOQ.

Sipas të dhënave, Mazniku ka nisur të paguhet si administrator i kësaj shoqërie nga tetori i vitit të shkuar. ECO Tirana u themelua në vitin 2016. Ajo ofron shërbimin e higjienës urbane dhe grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, ku 51% të aksioneve i zotëron Bashkia e Tiranës.

Mazniku, njësoj si gazetaret Mira Kazhani e Bieta Sula, të shpërblyera nga kjo bashkianëpërmjet Ndërmarrjes së Ujësjellësit Tiranë, është denoncuar me dokumente publike.

Mazniku tërheq rregullisht pagën e dytë mbi bazën e një kontrate që duket se do ta bëjë të lumtur edhe pas përfundimit të krizës së pandemisë: Kontrata e nisur më 29 korrik 2019 do të përfundojë më 29 korrik 2022!

Prej disa javësh, kryebashkiaku Veliaj, po shfaqet publikisht në media me disa qese me ndihma që i dorëzon me ceremoni para kamerave tek familjet e varfra të Tiranës, ndërkohë që nga ana tjetër, pas gazetareve të pushtetit të tij personal, vrapon edhe zëvendësi i tij me kartat bankare për të tërhequr 2 milionë e gjysëm lekë çdo muaj për xhepin e tij!