PD, koha për një marrëveshje besimi me shqiptarët

Ndoshta, nxjerrja në pah e dëshirës për një autoritarizëm të thellë, është edhe pika fundore e politikës së Edi Ramës. Ai nuk ka më asnjë narrativë, përveçse refrenit që nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka. 

Për këdo vlen të sjellim në vëmendje se Kryeministri, përmes “Qeverisë së Facebook-ut”, që aplikoi në të dy krizat – në atë të tërmetit të Nëntorit 2019 dhe të Covid-19,-  nxori në pah se kishte ndërtuar institucione prej letre, dhe se gjatë gjithë këtyre viteve në pushtet është munduar të ngatërrojë qëllimisht realitetin me të vërtetat. 

Edhe nëse do t'i linim në derë meritën hipotetike të shpëtimit të jetëve të njerëzve, sërish Rama nuk ka më asgjë në dorë për të bindur shqiptarët se është i shqetësuar për ta, pasi, tashmë, hendeku mes atyre që thotë dhe atyre që bën mund të fundosë çdo anije premtimesh nga ana e tij.

Në këtë moment për shoqërinë shqiptare, që ka kaluar panikun, por jo krizën, është e rëndësishme që PD-ja të mos replikojë më me Kryeminsitrin, pasi nuk është më ai kundërshtari, por të gjejë një rrugë për një marrëveshje besimi me shqiptarët. E para, dhe ndoshta më emergjentja, është rikthimi i institucioneve në shina, pasi "bashkëqevrisja" ka depersonalizuar çdo punonjës, i cili, tashmë, është përpara gjyqit popullor, që ka vetëm një gjyqtar: Edi Ramën. Ky model ka krijuar idenë se, është e kotë të mendosh për karrierë në institucione, se burokracia nuk vlen, dhe se gjithçka duhet ta mendosh si një marrëdhënie skllav-skllavopronar. 

Së dyti, është me rëndësi që biznesi të çlirohet nga hija e frikës se, nëse nuk punon me qeverinë, mund të mbyllesh apo ndëshkohesh deri në falimentim. 

Së treti, është urgjente që PD-ja të hartojë planin e rimëkëmbjes, duke kthyer besimin te qytetarët se, të jesh i ndershëm nuk është as e kotë e as budallallëk, por një hap i rëndësishëm për ta bërë këtë vend të dëshiruar për të jetuar dhe thurur ëndrra për të ardhmen.

Ky Kryeministër është i paaftë t’i mendojë shqiptarët si qytetarë me dinjitet, ndaj dhe aplikon vetëm fyerjen dhe poshtërimin në çdo marrëdhënie. Qeverisja e tij nga FB, si asnjë drejtues tjetër qeverie, është shembulli që ai përfundimisht nuk mund të ndërtojë asnjë marrëdhënie institucionale dhe të vërtetë me shqiptarët. Ndaj PD-ja duhet ta lërë Ramën në humnerën ku ka nisur rrokullimën e tij politike, dhe të nisë një komunikim të hapur dhe të sinqertë me shqiptarët, të cilët kanë nevojë për një qeveri që do t’u japë shanse të barabarta, dhe që do të rikthejë gjykatat, të cilat Rama, në mënyrë të qëllimshme, vijon t’i vonojë sa më shumë, që të mos hetohet dhe gjykohet për asnjë vendim që merr.