Vasili nxjerr listën e Komitetit të Ekspertëve të COVID 19: Task Force e Ramës, aspak një grup ekspertësh

Nga Petrit Vasili.

Ministrja Manastirliu ka deklaruar dje se: "“Komiteti i ekspertëve drejtohet nga zëvendësministrja e e Shëndetësisë, profesoreshë Mira Rakacolli, dhe ka në përbërje ekspertë të ndryshëm të fushave të ndryshme”. Po çfarë kërkon ligji nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive?

Në nenin 24, pika 7 dhe 8, përcakton:

7. Veprimtaria e grupeve të ekspertëve bazohet në parimet e ekselencës, pavarësisë, paanësisë dhe transparencës".

8. Çdo ekspert duhet që, përpara çdo vlerësimi, të plotësojë një deklaratë të konfliktit të interesit dhe përkushtimit, duke përfshirë këtu çdo aktivitet, pozicion, rrethanë ose fakte që përfshijnë interesa të lidhur, në mënyrë direkte apo indirekte, me atë që ai do të kryejë, në mënyrë që të identifikohen interesat që mund të konsiderohen të dëmshme për pavarësinë e këtyre ekspertëve.

Drejtimi i grupit të ekspertëve nga Zv.ministrja është tërësisht i paligjshëm dhe dhunshëm godet detyrimet e ligjit siç duket shumë qartë. Ku është ekselenca, pavarësia, paanësia dhe trasparenca, kur drejtimi është politik nga një zv.ministre politike, e cila nuk është as eksperte e fushës? A e kanë plotësuar ekspertët, deklaratën e konfliktit të interesit dhe përkushtimit, që sigurojnë pavarësinë e tyre sipas nenit 24, pika 8 e ligjit?

I gjithë grupi është një Task Force e qeverisë dhe aspak një grup ekspertësh. Në të gjithë grupin ka vetëm një epidemiologe, që është Silva Bino, në një kohë që duhej të ishte e kundërta dhe shumica dërrmuese duhej të ishin epidemiologë, pasi kemi të bëjmë me një pandemi.

Ç'punë kanë drejtorë qeverie gjithfarësh në një grup, që duhet të përbëhet nga ekspertë të mirëfilltë? Si mund të jenë të pavarur, drejtorët e qeverisë? Kjo është ta shndërrosh të ashtuquajturin grup në një freskore të qeverisë dhe asgjë më shumë.

Shiheni grupin e quajtur Komiteti i përkohshëm për infeksionin e Covid-19 që u ngrit më 31 janar 2020. Kryesohet nga Zv.Ministrja Mira Rakacolli dhe përbëhet nga 11 anëtarë të tjerë:

Flutra Beqo, drejtoreshë në Ministrinë e Shëndetësisë
Albana Fico, drejtoreshë në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP)
Silva Bino, drejtoreshë në ISHP
Vjollca Braho, kryeinspektore e ISHP-së
Najada Como, përgjegjëse shërbimi në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT)
Tritan Kalo, mjek infeksionist në QSUT
Skënder Brataj, drejtor i Urgjencës Kombëtare
Mirela Cami, drejtoreshë e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetesor
Andi Koraqi, përgjegjës shërbimi në QSUT
Gjeorgjina Lito, infeksioniste pediatre në QSUT
Narvina Sinani, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore

Natyrshëm lind pyetja: Çfarë kërkon të fshehë qeveria, që e shtrëngon atë të shkelë haptas ligjin duke krijuar një komision të tillë?!