Talenti që luan me Ipswich Town: Do e refuzoja Anglinë për të luajtur për Shqipërinë

Armando Dobra është një nga të rinjtë më të talentuar shqiptarë dhe këtë sezon ka bërë debutimin me skuadrën e Ipswich Town në Angli, ndonëse në moshën 19-vjeçare.

Mesfushori me tipare sulmuese është shprehur se dëshiron të luajë vetëm për Shqipërinë, madje në intervistën për Supersport ai thotë se për këtë do refuzonte edhe Anglinë.

Si po e kalon këtë kohë izolimi? A je stërvitur?

Kemi bërë shumë pak stërvitje, 3 ose 4 herë në javë, pasi është pak e vështirë për shkak të situatës që është krijuar. Jam munduar të punoj edhe në shtëpi, por nuk është njësoj si në fushë.

Të kanë munguar driblimet që bën në fushën e lojës?

I kam shumë qejf driblimet dhe sa herë që kap topin, provoj të kaloj kundërshtarët.

Si ia dilni të bëni kaq shumë driblime?

Kam shumë besim te vetja dhe kur kam topin në këmbë, në betejën një kundër një, jam 80-90% i sigurt që do ta kaloj kundërshtarin.

Nga jeni me origjinë?

Jam nga Burreli, por kam lindur në Londër.

Cili është idhulli juaj në botë dhe Shqipëri?

Kam shumë qejf Messin, ndërsa në Shqipëri më pëlqen Roshi, që është shumë i shpejtë.

Mendoni se Messi mund të shkëlqente në Angli?

Pa diskutim. Këtu është pak futboll fizik, por ai është Messi dhe bën gjithçka në fushë.

Me cilën skuadër jeni tifoz?

Me Manchester United.

A do të pranonit një ofertë nga Liverpool, klubi rival historik i Manchester United?

Po, sigurisht do të pranoja.

Çfarë bën Dobra përveç futbollit?

Kur nuk luaj futboll, dal me shokët ose luaj “Play Station”, por nuk është se kam shumë kohë të lirë.

Nëse do të merrje një ftesë nga Anglia, do të pranoje?

Jo, sepse unë dua të luaj për Shqipërinë. Jam shumë i bindur për zgjidhjen time dhe pres të bëhem pjesë e kuqezinjve.

Kishit edhe një ftesë nga Shqipëria U-21 për ndeshjet e marsit…

Po, është e vërtetë, por për shkak të Koronavirusit nuk u luajtën ato ndeshje. Ishte një hap tjetër për mua, grumbullimi te Shpresat dhe u ndjeva krenar, por do më duhet të pres për një tjetër kohë.