‘Viti 97 do na duket lule...’ Iriqi bisedon me Ditmir Bushatin

Iriqi: - Si rrufe në qiell të pastër ishte sulmi yt ndaj PS-së.

Bushati: - Ashtu më ndodhi dhe mua. Isha në shtëpi duke parë karnavalet e Brazilit kur më mori në cel Rama. Nesër do e bësh mut partinë tonë, më tha. Sidomos koncesionet. Dhe ngrije zërin, mos fol si miza në qyp. Por nuk pranova. Se analistët e tu, i thashë, do më sulen e do më kujtojnë babanë, votimet e mija pro koncesioneve e qoftë larg do më rrasin ndonjë vjedhje a dashnore.

Iriqi: - E çfarë të tha?

Bushati: - Rri rehat se ua zë unë gojën kazaneve. E shumta do të të thonë, këlysh i Lulit. Atje reagova, më mirë këlysh i Berishës se do më dojë populli i Shkodrës, i thashë. Por si gjithnjë nuk e mbajti fjalën. Balla më krahasoi me Grida Dumën. Kjo bëri që fjalët të më iknin kot. Se populli as pyet për Gridën.

Iriqi: - Pse nuk pati jehonë fjala jote?

Bushati: - Se ajo që thashë unë është film i parë nga të gjithë. Kushdo e di sot se koncesionet vjedhin popullin. Ndaj sado ta shash qeverinë askujt nuk i bëhet vonë. Populli i ka larë duart me socialistët. E ka bindje që ata vjedhin e shtypin. Kjo duket dhe te sondazhet tona, jo të Zaloshnjës. As 10% nuk votohemi. Prandaj Rama do zhurmë brenda nesh, që të shitet si demokrat.

Iriqi: - Si e sheh situatën pas covid?

Bushati - Do na duket ‘97 parajsë. Aq keq do vuajë populli sa do hamë njëri tjetrin. Ato pemët e Lalit do jenë pa lëvore se me to do ushqehemi.

Iriqi: - Po qeveria?

Bushati: - Do e grijë populli si mish qeni. Ama do sjellë një të mirë ky vit.

Iriqi: - Çfarë?

Bushati: - Me ligj do i ndalohet çdo nëne që djalit që lind t’i verë emrin Edi. Do kemi distancim social nga bëmat e tij, njësoj si i rrimë larg corona virusit. Dhe propozimin për miratimin e këtij ligji do e bëjë Taulanti, i cili do jetë lëpirësi i zellshëm i kryetarit të radhës. Ndërsa Majko do mbyllet 3 vjet në shtëpi nga turpi që vendin e çuan në faliment. Me premtimin se mund ta bëjë dhe 5 vjet...