Vendi që nuk donte të mbyllej, tani nuk do të hapet më

Britania e Madhe u bë vendi me më shumë viktima nga koronavirusi në Europë: 32 mijë. Dikur nuk donin të mbylleshin, tani nuk duan të hapen

Nga Luigi Ippolito, Corriere della Sera

Faza e dytë në Britani nuk fillon kurrë. Vendi që hezitoi më shumë në Europë për të prezantuar masat e izolimit, tani është bërë më i kujdesshmi për rihapjen: falë frikës që ka kapur qeverinë dhe opinionin publik.

Shqyrtimi i masave të reja pritet të bëhet të enjten: një gjë është e qartë, izolimi do vazhdojë edhe për tre javë të tjera. Kjo do jetë data kur Boris Johnson do të prezantojë të paktën një ‘road map’ për fazën e dytë: por kryeministri nuk do e paraqesë atë të paktën deri të dielën në mbrëmje, kur do flasë përpara kombit. Por ajo që është filtruar në media nuk duket aspak inkurajuese.

Masat e emergjencës në fakt mund të mbeten në fuqi për të paktën edhe një vit të tërë. Qeveria synon, që nga fundi i majit, të inkurajojë njerëzit të rikthehen në punë dhe të rihapin dyqanet, por me shumë kujdes. Në zyra do punohet me turne të ndryshme, për të shmangur transportin publik të mbingarkuar. Nuk do lejohet shkëmbimi i materialeve të tilla si stilolapsa ose letra dhe do jetë e nevojshme mbajtja e distancës, ndoshta duke vendosur xhama ndarës. Po ashtu do jetë e nevojshme që të ndiqen rrugët e lëvizjes me një korsi vajtje deri në vendin e punës, njësoj si në dyqane, metro apo stacionet e autobusit. Të gjithë këto rregulla do mbahen deri vitin tjetër. Nuk ka shpresa për pub-e dhe restorante, nuk ka asnjë plan për rihapjen e tyre. Po kaq e vështirë do jetë të hapen kinematë dhe teatrot përpara fundit të vitit. Nga ana tjetër, prioritet do kenë shkollat: nga 1 qershori, fëmijët e shkollave fillore dhe djemtë e shkollave para- të mesmes do të duhet të kthehen në klasë.

Britania duket se është bërë kështu e burgosura e vetes së saj. Në mars, qeveria rezistoi për imponimin e masave të mbylljes, duke u dorëzuar vetëm përballë skenareve apokaliptikë të shkencëtarëve. Tani kujdesi duket se është politik: në Londër rrezikojnë të parakalojnë në terma negativë bilancin e Italisë për numrin e viktimave, gjë që do i bënte ata vendin më të prekur në botë. Një rekord i trishtuar, që Boris dëshiron ta shmangë me çdo kushte, duke pasur parasysh se po afron ngritja e një komisioni hetimor për të shqyrtuar vonesat dhe hezitimet e orës së parë.

Për më tepër, opinioni publik është i trembur. Fushata e qeverisë për t’i mbajtur në banesa ka qenë shumë e efektshme dhe përtej parashikimeve të tyre, pasi tani njerëzit hezitojnë për të rinisur jetën normale. Sindikatat po ashtu kritikuan planin e rikthimit në punë, duke thënë se nuk ofron garanci të mjaftueshme për sigurinë.

E parë nga këtu, duket si një makth nga i cili nuk do të zgjohesh: por në të cilin ke përfunduar ose për fajin tënd ose prej paparashikueshmërisë. Të shëtisësh në Londër është sikur ecën në skenat e një filmi apokaliptik: Rruga e Oksfordit duket sikur i ka mbijetuar një sulmi bërthamor, e braktisur si kurrë më parë në histori, madje edhe gjatë luftës. Teksa sheh këtë pamje, njeriu pyet veten se kur do jetë i mundur një kthim në normalitet.