Shtohet testimi... shtohen edhe rastet me COVID-19 në Shqipëri

Shqipëria numëroi 17 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit me koronavirus, ku përfshihet së paku një vatër e re në Kamëz. Shtimi i rasteve u argumentua nga autoritetet si rrjedhojë e “rritjes së vigjilencës së tyre”.

BIRN

Autoritetet shëndetësore shqiptare raportuan një numër të rritur rastesh si dhe një vatër të re në qytetin e Kamzës pranë Tiranës të martën, pas një jave qetësie me shifra të ulëta.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico deklaroi se 17 raste të reja me koronavirus u identifikuan gjatë 25 orëve të fundit, nga të cilat, 11 janë raste kontaktesh të pesonave të prekur më parë ndërsa për gjashtë raste hetimi epidemiologjik po vijon. Rastet e reja janë 9 në Tiranë, 5 në Krujë dhe 3 në Kamëz. Sipas Ficos, tre rastet e Kamzës janë në të njëjtën familje. Kamza shtohet për herë të parë në listën e qyteteve të prekura nga pandemia.

Shqipëria ka shënuar 6 deri në 9 raste të reja në ditë që nga e enjtja e kaluar, ndërsa autoritetet kanë gjetur rastin të vetëlavdërohen për këtë rënie të rasteve duke e argumentuar rënien me efikasitetin e masave të marra ndërsa e konsideruan javën e kaluar si “kalim me sukses të fazës së parë të epidemisë”.

Por të martën, ndërsa numri i rasteve u rrit, Fico tha: “Është rritur vigjilenca për testimin, identifikimin, gjurmimin në kohë të rasteve të dyshuara me COVD-19”.

Vigjilenca duket se reflektohet edhe në numrin e testimeve, që është edhe një debat i nxehtë politik në vend. Në 24 orët e fundit janë kryer 270 testime nga 140 në ditën më parë.

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar në fillim të pandemisë se vendi ka kapacitete për të kryer 200 deri në 500 restime në 24 orë, por 270 është numri më i lartë i shënuar deri më sot dhe ky numër është shënuar në vetëm tre raste.

Grafiku shqiptar i numrit të rasteve pozitive merr kështu edhe një herë drejtimin për lartë, hera e katërt që nga fillimi i epidemisë, gjë që përbën një ecuri të pazakontë kurbe brenda një kohe kaq të shkurtër.