Grafiku i gënjeshtërt që thotë të vërtetën mbi Ramën

Mbrëmjen e së shtunës Edi Rama publikoi një grafik sipas të cilit Shqipëria ishte ‘THE BEST’ (më e mira) në përballjen me COVID-19. Postimi u shoqërua me një koment në të cilin Rama ironizonte akuzat për mungesën e strategjisë, testimeve etj., me qëllim demontimin e tyre përballë suksesit që grafiku sipas tij konfirmonte.

Kaq krenar ishin për renditjen e këtij grafiku, në të cilin kut për suksesin ishte zgjedhur numri i vdekjeve për një milion banorë, saqë edhe ministrja e shëndetësisë e përdori atë në një email që i është dërguar qytetarëve, në të cilin shprehet se ‘Shqipëria ka numrin më të vogël të vdekjeve për 1 milionë banorë në kontinentin tonë’.

Megjithatë, në epokën e informacionit, ku të dhënat publike janë të aksesueshme nga çdo cep i botës, me një klik rezultoi se grafiku i Ramës ishte i gënjeshtërt. Të dhënat e marra nga sajti Worldometer, i cili ka një hapësirë enkas për grumbullimin e statistikave të pandemisë, rrëzojnë grafikun e gënjeshtërt të Ramës. Për të faktuar këtë gënjeshtër, secili prej lexuesve mund të selektojë renditjen e shteteve në bazë të të vdekurve për 1 milionë banorë, dhe do të zbulojë një pozicion krejt tjetër për vendin tonë.

Sigurisht numri i jetëve të humbura nuk ndryshonte, pasi statistikat që merren për bazë janë ato zyrtare, por hileja e Ramës qëndronte në një gjeografi të vdekjes të selektuar sipas oreksit të propagandës së tij. Që Shqipëria të ishte vendi me numrin më të ulët të vdekjeve në kontinent, dhe kryeministri të sillej si kapadai në facebook, kishte përzgjedhur të mos përfshinte në grafik shtetet që kishin realisht më pak jetë të humbura, siç janë Sllovakia, Letonia, Malta dhe Bullgaria.

Sidoqfotë, për fatin e keq të kryeministrit, një renditje e shteteve që kanë performuar më mirë në raport me pandeminë ekziston. Revista prestigjoze Forbes, ka publikuar një listë me 40 shtetet më të sigurta nga COVID-19. Për ironi të fatit në këtë listë ndodhet Letonia, që kryeministri kishte ‘fshirë’ nga Europa, por jo Shqipëria.

Ndonëse nuk është ndonjë zbulim i madh të kapësh Ramën në gënjeshtër, paçka se këtë radhë ka shpikur një gjeografi të re për ‘Kontinentin e Vjetër’, kjo hile e qëllimtë që nuk prodhon as skuqjen më të vogël të fabrikuesit të saj, tregon të vërtetën mbi nevojën dëshpëruese të Ramës për të ndërtuar një sukses imagjinar.

Elektoralizimi që i bëri pandemisë, pra duke e trajtuar si një moment për të shtuar pushtetin e tij, i shoqëruar me improvizim dhe paqartësi të mëdha përgjatë dy muajve (fasha orare të ndryshuara çdo ditë, distancim social gjatë javës dhe karantinim në fundjavë, bashkëshortë që ndajnë shtratin por ulen diagonal në makinë, numër më të madh gjobash se testesh, si dhe paketën ekonomike më të vogël në rajon), e vendos atë përballë një fature të kripur.

Andaj, karshi fjalimeve të oboboshme me bilancet e të vdekurve të vendeve të tjera dhe ato me të vdekurit e hamendësuar në Shqipëri (po të mos ishte për Ramën!), del edhe grafiku i gënjeshtërt si nevoja për një lapidar të dëshmorëve të pavdekur për qëllime elektorale.

E vërteta është se si gjithë Rajoni, Shqipëria ka patur një përhapje relativisht të ulët të koronavirusit. Pra ajo që në shumë vende të Europës u kthye në një dramë, në pellgun tonë mori trajtat e një thrilleri, me ankthin e një piku që nuk erdhi kurrë apo kaloi pa u kthyer në apokalipsin e premtuar.

Arsyet e këtij suksesi të pavullnetshëm mbeten ende për t’u zbuluar, megjithatë një hipotezë që mund të ngrihet lidhet me një izolim relativ të Ballkanit Perëndimor nga dinamikat ekonomike që lëvizin miliona njerëz. Dhe bashkë me ecejaket e tyre ka lëvizur edhe virusi. Pra të qenurit ‘zorra qorre’ e kontinentit, në një periudhë ku ekonomitë që bazohen kryesisht mbi turizmin ndodheshin në letargjinë dimërore, ka reflektuar në përhapjen e ulët të virusit.

Për këto vende, përfshirë këtu edhe Shqipëria, kuti i suksesit nuk mund të jetë me virusin, por me pandeminë ekonomike. Sepse nëse COVID-19 i goditi shtetet në mënyrë të pabarabartë, kriza ‘ante portas’ do të jetë e pamëshirshme në mënyrë të barabartë.

I vetëdijshëm për këtë, Rama e vendos theksin te grafikët e gënjeshtërt, për t’i falur vetes një fitore imagjinare, pasi e di mirë se sprova e vërtetë është pandemia ekonomike, e cila, nuk kalohet me urdhëra nga Facebook, sidomos kur ke 7 vjet që je asimptomatik në qeverisje.