Masat kundër virusit/ Ammon: Maska është vetëm një mjet mbrojtës shtesë

“Maska mund të jetë vetëm një mjet mbrojtës shtesë”, tha Drejtoresha e Qendrës evropiane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve (ECDC), Andrea Ammon.

Duke vlerësuar zhvillimet e fundit lidhur me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), Amon iu drejtua deputetëve në Komitetin e Mjedisit të Parlamentit Evropian (PE), ku njoftoi se falë masave të marra nga vendet për distancimin social dhe politikat për “qëndrimin në shtëpi” në 14 ditët e fundit, norma e infektimit ka rënë 45 për qind.

Në Evropë, Bullgaria është vendi i vetëm ku rastet e COVID-19 vazhdojnë të tregojnë rritje, theksoi Ammon, duke shtuar se në Poloni, Rumani, Suedi dhe në Britani nuk është vërejtur ndonjë ndryshim themelor, por se në vendet e tjera ka rënie në numrin e rasteve.

– Situatë serioze në shtëpitë e të moshuarve

Pasi theksoi se situata ruan seriozitetin në shtëpitë e kujdesit dhe të moshuarve, Ammon deklaroi që “Më shumë se 50 për qind e vdekjeve në Evropë janë shënuar në shtëpitë e kujdesit”.

“Maska mund të jetë vetëm një mjet mbrojtës shtesë. Nuk dimë ende se sa rol efektiv luan ajo në parandalimin e virusit”, tha Ammon duke përmendur efektet e përdorimit të maskës.

Ammon tha më tej që edhe shifrat e vdekjeve të publikuara nga qeveritë në Evropë nuk reflektojnë të vërtetën dhe tërhoqi vëmendjen se “ECDC ka besim të ulët lidhur me këto shifra”.

Në fjalën e saj, ndër të tjera ajo vuri në dukje se virusi nuk do të eliminohet për një kohë të shkurtër dhe se për këtë duhen bërë përgatitje.