VIDEO/ Zbulohet identiteti i policit që i futi duart së resë në mes të rrugës

Policia ka reaguar pas videos skandaloze ku një punonjës policie i fut duart një vajze të re gjatë kohës kur ishte në makinën e policisë dhe në shërbim.

Policia e Shtetit bën të ditur se ka identifikuar efektivin dhe ka nisur hetimin ndaj tij.

Gjithashtu punonjësi i policisë me inicialet M. K., është përjashtuar nga uniformat blu.

Reagimi i plotë i Policisë së Shtetit:

Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet një punonjës policie që ka shkelur rëndë Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, duke cenuar imazhin e Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për të filluar menjëherë hetimin disiplinor.

Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe DVP Tiranë, pas verifikimeve të kryera dhe hetimit të bërë, identifikuan punonjësin e Policisë, i cili është shtetasi M. K., punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3.

Për këtë punonjës u bë pezullimi nga detyra dhe u mor masa e përjashtimit nga Policia e Shtetit, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit dënon ashpër veprime të tilla që cenojnë imazhin e Policisë tek qytetarët dhe fton cilindo që të denoncojë çdo rast të cenimit të figurës së punonjësve të Policisë apo të abuzimit me detyrën, duke u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.