Kriza e koronavirusit/ Ne jemi luanë që udhëhiqemi nga gomerët

Kapiteni Tom i mbushi 100 vite jetë. Ndoshta e keni dëgjuar këto ditë emrin e tij. Ish-oficeri i ushtrisë britanike u bë hero i popullit të tij pasi sfidoi veten në moshën 99-vjeçare se do bënte 100 xhiro në kopsht për të mbledhur 1 mijë sterlina në ndihmë të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor. Brenda pak ditësh u bë kaq i famshëm sa kauza e tij arriti të mbledhë të paktën 30 milionë sterlina. Në ditëlindjen e 100-të ai mori titullin e kolonelit të nderit dhe u vlerësua me një fluturim nga forcat ajrore mbretërore. 
Thonë se çdo krizë prodhon heronjtë e saj. Në Shqipëri nuk mund të presësh që një person i panjohur si kapiteni Tom të bëhet hero. Sepse ky është një nga dallimet kryesore me një vend të lirë. Këtu duhet të dalë vetëm një hero: ai që drejton qeverinë. 

Pikërisht pasi kapiteni Tom fitoi zemrat e britanikëve dhe jo vetëm, analisti John Humphrys i Daily Mail shkroi një koment viral, ku theksonte se kurajoja e publikut dhe sensi i përbashkët i popullatës ishin frymëzimi i vërtetë në këtë krizë.

“Ne jemi luanë që udhëhiqemi nga gomerët,” shkroi ai. Një përcaktim që i shkon në mënyrë perfekte Shqipërisë.

*
Para disa kohësh, në një koment për bilancin e qeverisë së Edi Ramës, nënvizoja se ndryshe nga qeveritë e shkuara, që në njëfarë mënyre i kanë lënë pas të tjerëve ndonjë arritje, kryeministri aktual do u lërë vetëm tokë të djegur. Kjo jo vetëm për shkak të tërmetit dhe koronavirusit, madje këto dy kriza mund të shërbejnë për Ramën si një justifikim për një gropë të thellë që ishte krijuar për 7 vite shumë kohë pa mbërritur te këto gjëma. Një kryeministër kaq i paaftë dhe kaq dritëshkurtër zor se do vijë më në historinë politike shqiptare.
Në atë shkrim citoj filozofin David Hume, i cili thotë se qëllimi i qeverisjes është që të shikojë përtej asaj që shohin njerëzit e zakonshëm. Në fakt kështu ka qenë që kur kanë nisur organizimet e para në shoqëri. Që kur jetonim në shpellë, i pari i familjes, i fisit, i fshatit, i qytetit, i grupit, mbretërisë apo shtetit ishte ai njeri që kishte aftësinë të ishte largpamës, të shihte dhe ndjente rrezikun përpara të tjerëve dhe të përgatitej për kohërat e vështira. Sot kjo tezë është akoma më e rëndësishme, pasi shteti ka me qindra njerëz dhe institucione, agjenci, ministri, akademi shkencash, etj, të cilat kanë për qëllim të pikasin rrezikun para qytetarëve të thjeshtë. Për këtë paguhen nga taksat tona.

*
Por shqiptarët e pikasën rrezikun përpara qeverisë dhe i kërkuan asaj të merrte masa gati në mënyrë dëshpëruese për koronavirusin. Sado të krenohet Edi Rama, do i ngelet si vulë e zezë fakti që një shkollë i mbylli dyert dy javë përpara se Rama të jepte sinjalin e alarmit duke i bërë jehonë një shqetësimi absolut të qytetarëve. Sado që të hakërrehet ndaj shqiptarëve Edi Rama, atij do i ngelet si njollë e madhe që nuk mori masa paraprake për situatën dhe përcolli mesazhe krejt të kundërta me panikun që po shpërndan këto ditë. Dhe kur qytetarët tejkalojnë qeverinë e tyre, duke i paraprirë rrezikut, ajo qeveri duhet hedhur në kosh. Këtë tejkalim e kishte vënë re edhe një gazetë gjermane, e cila shkruante se shqiptarët po e kërkonin izolimin për shkak se e dinë gjendjen e mjeruar të shëndetësisë shqiptare. Me fjalë të tjera e dinë se kush i udhëheq. Ndaj e morën situatën vetë në dorë.

*
Disa thonë se këtë sfidë po e përballojmë në mënyrën më primitive të mundshme. Si gjithmonë në histori, kur përballemi me një rrezik, truri vihet përballë zgjedhjes: Lufto ose fluturo (fight or flight). Dhe meqë nuk luftonim dot, u arratisëm nga rreziku. Distancimin social nisëm ta bëjmë në mënyrë të shkëlqyer shumë përpara se Edi Rama të gjente argëtim te shpikjet fyese me fasha orare dhe me daljet për grupe dhe gjini të caktuara. Edhe kur duhej të përballeshim me rrezikun, sërish e dinim se ‘mjekimin’ më të mirë e kishim me vete, sistemin tonë imunitar, për të cilin eksperti Rory Sutherland thotë se ‘laboratorin më e mirë në botë e kemi në brendësi të trupit’. Shqiptarët u përballën me këtë sfidë si luanë, duke e ditur shumë mirë se drejtohen nga gomerë. Por pasi gjërat të sheshohen, duhet ta kuptojmë se nuk mund ta lëmë veten në dorë të veshgjatëve. Njësoj si atëherë kur jetonim në shpella dhe e dinim se duhej të zgjidhnim në krye një njeri me vizion që i paraprinte rrezikut, edhe tani duhet ta kuptojmë se njerëzit që bëjnë gallata, batuta dhe aheng nuk e kanë pasur asnjëherë vendin në krye të odës. Te e fundit, nëse u pëlqejnë kaq shumë llafet dhe humori i kryeministrit, nxirreni me votë nga zyra në rrugë. Le të tregojë qyfyre atje. Si Nexh Shabani.