Opozita false/ Zbulohen 10 deputetët 'më besnikë' ndaj Edi Ramës

Nga Esiona Konomi/ Abc News

Kur Partia Demokratike dhe LSI-ja dogjën mandatet, në Kuvend ngelën bosh 58 karrige opozitare. Me kalimin e javëve, 40 kandidatë të këtyre dy partive pranuan të bëheshin deputetë, ndërsa 18 vende ngelën bosh në parlament.

40 të ardhurit e rinj, u quajtën opozita e re parlamentare, por sjellja e tyre e mëvonshme, dëshmoi se pak prej tyre mund të meritojnë të quhen “Opozitarë”.

Shumica jo vetëm që nuk bënë oponencë në parlament, e në vend të debatit pranuan heshtjen, por pjesa më e madhe, në kushtet e anonimatit, u kthyen besnikë të devotshëm të qeverisë Rama.

Dhe këtë, na e tregojnë faktet. ABC News ka analizuar formën se si kanë votuar këta deputetë opozitarë. Shifrat e më poshtme ju referohem votimeve të ligjvënësve në seancat plenare të muajit janar, shkurt dhe mars të këtij viti.

Sipas të dhënave, mund të evidentojmë 10 kampionët e falsitetit opozitar, të cilët, edhe pse janë votuar nga elektorati që ishte kundër Ramës, sapo janë bërë deputetë, kanë votuar vetëm në mbështetje të qeverisë.

Deputetja e LSI Dibër, Aurora Mara, rezulton të jetë besnikja më e madhe e socialistëve, e cila ka votuar pro qeverisë më shumë se askush tjetër, plot 24 herë. Një herë që ka votuar kundër, ka qenë për të rrëzuar dekretin e Ilir Metës, pra, të atij që firmosi për ta kandiduar si deputete.

Edhe në vend të dytë e të tretë janë dy kandidatë të ardhur po nga listat e LSI. Eugen Bojaxhiu dhe Edmond Rrushi, i kanë dhënë në 3 muaj, 23 vota pro mazhorancës socialiste dhe nga një votë kundër dekreteve të Presidentit.

Lista e 10-tshes më besnike të qeverisë Rama, vazhdon me deputetët, Ramazan Gjuzi,  Selami Jenishehri,  Klajdi Qama, Ediola Braha, Nimet Musaj dhe Koçi Tahiri        .

Në këtë listë përfshihet dhe Kujtim Gjuzi, i cili pavarësisht indicenteve që shkakton në parlament, i ka dhënë 15 kartonë jeshilë mazhorancës dhe kartonin e kuq e ka ngritur vetëm 2 herë.

Por nga të dhënat, ka edhe disa deputetë që janë përpjekur, të paktën përmes votës, të sillen si kundërshtarë të qeverisë.

Deputeti me më shumë vota kundër socialistëve është Adriatik Alimadhi, i ndjekur nga Fatjona Dhimitri dhe Korab Lita. Lista vazhdon me emra të tjerë siç duken në këtë tabelë, ndërsa deputetë me aktivitet më të lartë parlamentar në debatet politike, si: Rudina Hajdari, Ralf Gjoni, Alban Zeneli dhe Andi Përmeti, ose nuk kanë marrë pjesë në shumicën dërrmuse të votimeve, ose kanë abstenuar, duke mos mbajtur një qëndrim të qartë.

Gjithësesi, opozita e re, ka qenë një luks për kryeministrin, i cili edhe pse ka fituar zyrtarisht 74 mandate, në çdo votim, arrin të krijojë një mbështetje nga 88 vota për çeshtje të ndjeshme, në më shumë se 100 për akte të thjeshta.

PRO  KUNDËR

Aurora Mara             24      1

Eugen Bojaxhiu       23      1

Edmond Rrushi       23      1

Ramazan Gjuzi        21      0

Selami Jenishehri   21      1

Klajdi Qama             20      0

Ediola Braha            20      1

Nimet Musaj            17      0

Kujtim Gjuzi             15      2

Koçi Tahiri                13     0

PRO  KUNDER

Adriatik Alimadhi   1    22

Fatjona Dhimitri    5    19

Korab Lita                3    14

Erion Piciri              1     9

Myslim Murrizi      2    9

Artur Roshi             7    13

Halit Valteri            3     8

Lefter Maliqi           0     2

Besnik Troplini       11    12

Zef Shtjefni              7     13