519 të shëruar dhe 31 të shtruar/ 7 pacientë në terapi intensive

Ka shkuar në 789 numri i të infektuarve me koronavirus në vendin tonë. Gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar 7 raste të reja.

Eugena Tomini, nga ISHP njoftoi sot se rastet e reja janë zbuluar në Tiranë në Krujë dhe Kukës.

"Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 171 persona të dyshuar me COVID-19 nga veriu në jug dhe vetëm në tre bashki kemi të prekur, ku përkatësisht në Tiranë kemi 5 persona që kanë rezultuar pozitivë, 1 rast në Krujë dhe 1 rast i importuar në Kukës i evidentuar në qëndrën karantinë të këtij rajoni. Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 789 qytetarë. Prej tyre janë 519 të shëruar," tha Tomini.

"Aktualisht në vendin tonë janë 239 pacientë aktivë me COVID-19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 31 pacientë (11.4%) dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive".

Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, sipas MSH.