Çfarë ndodh nëse Vjosa Osmani dorëhiqet nga posti i Kryetares së Kuvendit

Dekretimi i Avdullah Hotit si mandatar për të krijuar Qeverinë dhe thirrja e një seance të Kuvendit për këtë të shtunë bëri që kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, të paralajmërojë një konferencë për media, e cila është shtyrë në minutat e fundit.

Në njoftimin e Kuvendit nuk është treguar arsyeja pse është shtyer dhe as se kur është paraparë të mbahet.

“Konferenca për media e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e paraparë për orën 12:00, shtyhet. Për kohën e mbajtjes do të njoftoheni gjatë ditës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit, shkruan SYRI.net Kosova.

Krijimin e mundshëm të Qeverisë së re nga partia e Osmanit, kjo e fundit e ka cilësuar si devijim të vullnetit të qytetarëve.

Në një situatë në të cilën ndodhet vendi ynë, padyshim që mund të shrohet pyetja se çka do të ndodhë nëse Osmani në këtë konferencë për media mund të jepte dorëheqje nga posti i kryetares së kuvendit.

Në rregulloren e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Nenin 14, pikën 3 përmendet se çka ndodhë në këso raste.

“Kryetari i Kuvendit mund t’ia paraqesë dorëheqjen Kuvendit. Aktin e dorëheqjes me shkrim ia dorëzon paraprakisht Kryesisë së Kuvendit. Pas miratimit të dorëheqjes, partia politike ose koalicioni, që e ka emëruar Kryetarin e mëparshëm të Kuvendit propozon kandidat të ri për kryetar”, thuhet në rregullore.

Derisa me ligj posti i kryekuvendarit i takon partisë fituese, por që me marrëveshje mes partive e ka marrë LDK, atë e ka emëruar Vetëvendosje.

Andaj, në këtë rast, do t’i takojë Vetëvendosjes që të propozojë kandidatin e ri për kryetar të Kuvendit.