COVID-19/ India zgjat me dy javë të tjera bllokimin kombëtar

Bllokimi kombëtar i koronavirusit në Indi është zgjatur përtej 4 majit me dy javë të tjera shtesë.

Udhëzimet e reja të përshkruara të premten, azhurnojnë sistemin e ndarjes së vendit në zonë e kuqe, jeshile dhe portokall, raporton BBC.

Zonat e kuqe konsiderohen pikat e nxehta, ndërsa relaksime të konsiderueshme do të lejohen në zonat që konsiderohen më pak të rrezikshme.

India ka qenë nën masa të bllokimit që nga 24 marsi, me më shumë se 35,000 raste të konfirmuara në shkallë vendi.

Një deklaratë e ministrisë që njofton zgjatjen deri më 18 maj, tha se kishte "përfitime të konsiderueshme në situatën Covid-19".

Por të premten u pa një numër rekord i rasteve të reja, të cilat rritën numrin zyrtar të të infektuarve.

Të paktën 1.100 janë raportuar se kanë vdekur nga virusi në Indi, por shumë besojnë se numri i vërtetë i infeksioneve dhe vdekjeve është shumë më i lartë.