Dita Botërore e Lirisë së Shtypit/ Reporterët: Shqetësime për kufizimet në emër të pandemisë

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypitmë 3 maj, aktivistët paralajmërojnë se pandemia e koronavirusit ka rezultuar në masa kufizuese ndaj punës së gazetarëve nga qeveri të ndryshme në mbarë globin.

Kjo është vërejtur edhe në vende me demokraci të stabilizuara, në një kohë kur transparenca nevojitet më shumë se kurrë, raporton VOA.

Organizata për të drejtat e punonjësve të medias, Gazetarët Pa Kufi rendit për të katërtin vit radhazi Korenë e Veriut në krye të listës së vendeve me abuzimet më të rënda ndaj lirisë së shtypit. Media shtetërore koreano-veriore nuk ka njoftuar asnjë rast me koronavirus, megjithëse shkencëtarët mendojnë ndryshe.

Pandemia është shoqëruar me kufizim të lirisë së medias në shumë vende, thotë Rebecca Vincent e organizatës Gazetarët Pa Kufi.

“Disa vende që kishin në zbatim politika kufizuese i kanë zgjeruar këto politika. Këto vende kanë vënë në shenjestër gazetarët që përpiqen të raportojnë të vërtetën për gjërat që po ndodhin në shoqëritë e tyre. Shpesh zhvillojmë diskutime disi teorike mbi domethënien e lirisë së shtypit për popullatën. Por tani po e shohim se mungesa e një shtypi të lirë mund të ketë deri në pasoja vdekjeprurëse”.

Ligjet e reja të Hungarisë kërcënojnë me pesë vjet burgim këdo që gjykohet se po pengon masat për të luftuar virusin. Gazetarët thonë se kanë frikë se mund të burgosen thjesht për punën që bëjnë.

Në vende me demokraci të stabilizuara, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, aktivistët thonë se transparenca qeveritare po kërcënohet në këtë pandemi. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shprehu shqetësim kohët e fundit.

“Më shumë se kurrë, qeveritë duhet të jenë transparente, të japin llogari. Hapësira e shoqërisë civile dhe liria e shtypit kanë rëndësi kritike,” tha zoti Antonio Guterres.

Disa vende kanë bërë hapa përpara, thotë zonja Vincent.

“Këtë vit veçojmë Maldivet, Malajzinë dhe Sudanin si shembuj të vendeve që kanë vënë në zbatim reforma dhe kanë shënuar përmirësime të dukshme në indeks. Të gjithë këto janë vende që kanë kaluar ndryshime në qeverisje”.

Siguria e gazetarëve mbetet shqetësim i madh. Gazetarët Pa Kufi thotë se 49 punonjës të medias u vranë në 2019.

“Megjithëse një numër më i vogël gazetarësh u vranë në zona konflikti në 2019, një numër më i madh se kurrë më parë u vranë në vende që konsiderohen si të paqta. Shpesh herë, kjo ndodh ngaqë gazetarët janë objekt atentatesh,” thotë zonja Vincent.

Vendet evropiane zënë pesë vendet e para në indeksin e lirisë së shtypit. Megjithatë, edhe në Evropë ka pasur raste tronditëse të vrasjes së gazetarëve. Lyra McKee u vra vjet në Irlandën e Veriut; Jan Kuciak dhe e fejuara e tij Martina Kusnirova u vranë në Sllovaki në 2018; Daphne Caruana Galizia u vra në Maltë në 2017. Familja e saj vazhdon betejën për të sjellë fajtorët para drejtësisë.