Masat për ekonominë/ Biznesmeni i njohur: Qeveria meriton një '5 me mik'

Sipërmarrësi më i madh në sektorin e hotelerisë në vend, Behar Male, i ftuar në 'Çim Peka LIVE' ku po diskutohet mbi masat e qeverisë dhe atë çfarë pritet të ndodhë me turizmin në vend, nuk i ka kursyer kritikat ndaj masave të marra nga qeveria.

Sipas tij, për masat ekonomike, qeveria meriton një 5 me mik, ndërsa e këshilloi atë të mos vrasë konkurrencën e lirë.

"Dukuria më negative që u shfaq është se, rreth 60 mijë punonjës u hoqën nga lista e sigurimeve shoqërore. Në rastin më të lehtë ky është panik. Edhe ne si Hotel Plaza nuk i kemi hequr nga puna dhe jemi gati për 6 muaj ti paguajmë diku rreth 70-75% të pagës, bashkë me sigurimet shoqërore. Edhe biznesin e kapi paniku. Qeveria ishte e papërgatitur dhe në këtë periudhë, unë do ti vija notën 9 sa i përket ruajtjes së shëndetit dhe 5 me mik për masat ekonomike. Nuk mund të quhen masa për ekonominë, por për të përballuar vështirësitë me të cilat përballen shtresat në nevojë. Detyra kryesore e qeverisë është garantimi para ligjit dhe të mbrojë konkurencën e lirë. Besoj se qeveria duhet të ngrejë një ekip dhe të shohë mirë masat që ka marrë. Në biznesin e "Plazas" dhe "Nobis", që kanë aktivitet zero, kemi një kosto mujore prej 100 mijë eurosh. Atëherë biznesi i cili i ka pushuar nga puna nuk e ka këtë kosto. Një muaj ua bëjmë hallall, por për 6 muaj na bëjnë për budallenj. Konkurrenca nuk fal", tha Male.