Memolla: Në të ardhmen dëshiroj të luaj për Tiranën ose Besë, kampionati hungarez mund të jetë...

Hysen Memolla ka treguar emocionet e debutimit me kombëtaren e Shqipërisë.

Në një intervistë për emisionin “FanZone”, 27 vjeçari theksoi se në të ardhmen dëshiron të rikthehet në Superiore dhe të luaj për Besën ose për Tiranën.

“Përballja me Spanjën ishte debutimi im si titullar te Kombëtarja. Ka qenë një moment i veçantë, jam krenar për atë ndeshje. Falënderoj trajnerin që më dha besim dhe mundësinë në atë takim. Të zëvendësoja Agollin ishte e veçantë dhe do mundohem të jap maksimumin kur të më jepet mundësia. Kam shumë respekt për atë që ai ka bërë dhe si është shfaqur tek ne.”

Rinisja e futbollit: Kemi 2-3 ditë që kemi nisur stërvitjen. Janë shumë gjëra të rëndësishme për ne lojtarët. Do të përmirësohemi edhe nga ana psikologjike pas nisjes së stërvitjes. Duhet të gjendet zgjidhja për situatën dhe në çdo mënyrë të rinisë futbolli.

Kategoria Superiore: Jam larguar nga Shqipëria që në moshën 8-vjeçare. Dua që të rikthehem në të ardhmen dhe të luaj në Superiore. Do dëshiroja të luaja për Tiranën ose për Besën, meqë është nga qyteti im.

Hungaria, trampolinë: Kampionati hungarez është shumë i mirë. Mund të jetë një trampolinë për mua. Kemi një projekt shumë të rëndësishëm. Nëse çdo gjë shkon shumë mirë, mund të kaloj në një kampionat më të madh. Do të doja të bëja karrierë si Andi Lila ose si Lorik Cana dhe të bëj shumë mirë për fanellën e Shqipërisë.