Franca frenon disi për hapjen/ ‘Shpëtuam 62 mijë jetë në një muaj’

Kryeministri i Francës, Edouard Philippe tha se masat e izolimit kanë shpëtuar 62 mijë jetë njerëzish në hapësirën e një muaji.

Ai i bëri këto komente në parlament, duke shpalosur masat e lehtësimit të kufizimeve.

Por ndryshe nga sa ishte thënë në fillim, Franca do të frenojë disi kur bie fjala për fazën e dytë.

Kopshtet dhe shkollat fillore do hapen nga 11 maji në mënyrë graduale. Shkollat e mesme do të hapen një javë më vonë. Një vendim për shkollat e larta do merret në fund të muajit.

Dyqanet dhe tregjet do të rihapen, por jo lokalet dhe restorantet. Klientët e dyqaneve duhet të mbajnë maska.

Maskat do jenë të detyrueshme edhe në transportin publik dhe në të gjitha shkollat, përveç kopshtet.

Përveç kësaj, kryeministri propozoi shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 23 korrik. Kjo do i lejojë qeverisë që të kufizojë liritë e lëvizjes dhe biznesit.

Ai nënvizoi se izolimi nuk do lehtësohet nëse numri i rasteve të reja nuk bie nën 3 mijë në ditë deri më 11 maj.

Afër 23.300 vdekje janë regjistruar deri më tani në Francë, kurse rastet e konfirmuara janë mbi 165 mijë.