Edon Zhegrova konfirmon interesimin e Chelseat

Ylli i Kosovës, Edon Zhegrova, e ka pranuar se Chelsea dhe Wolves janë interesuar për të, vetëm pak pasi ky lajm u raportua nga mediat britanike.

Gjiganti mediatik “Daily Star” raportoi të hënën se Chelsea dhe Wolverhamptoni kanë zgjuar interesim për yllin kosovar, i cili po e kalon këtë vit në formë huazimi te Baseli.

21-vjeçari është duke e kaluar këtë sezon në formë huazimi në Basel, ndërsa gjatë verës pritet të rikthehet te Genk, pasi klubi zviceran nuk dëshiron ta shfrytëzojë mundësinë e blerjes së kartonit të tij.

Ndërkohë, media britanike shkruan se të dyja klubet e Premierligës i kanë sytë te përfaqësuesi kosovar.

Madje, ato i kishin dërguar skautët e tyre për ta vëzhguar Zhegrovën, por që interesimi ndaj tij u ndal për shkak të ndërprerjes së futbollit si rezultat i pandemisë Koronavirus.

Lidhur me këtë ka reaguar vetë 21-vjeçari, i cili për Telegrafin ka konfirmuar interesimin e dy skuadrave në fjalë.

“Ka shumë klube që janë interesuar për shërbimet e mia. Po mund të konfirmoj se edhe Chelsea dhe Wolverhampton janë në mesin e klubeve”, deklaroi Zhegrova.

Ndërkohë sa i përket një interesimi të Werder Bremen si pasues të Milot Rashicës, Zhegrova e ka hedhur poshtë.

“Jo nuk ka diçka të vërtetë sa i përket Werder Bremenit”, tha ylli i Kosovës.