Ish-trajneri i ‘Dardanëve’: Ajeti më dha fjalën se do luante me Kosovën, por nuk erdhi

Ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku, ka treguar prapaskena interesante nga e kaluara e tij në drejtimin e “Dardanëve”.

Në një prononcim special për “Reporterin”, Bunjaku ka deklaruar se mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, i kishte dhënë fjalën që do të vinte të luante me Kosovën, por nuk kishte ardhur, edhe pse trajneri e kishte pritur në hotel për ta takuar.

Ai zbulon në detaje gjithë ngjarjen duke u shprehur: “Pas vendimit që Kosova do të luante dy miqësore në data të cilat nuk janë të UEFA-s edhe të FIFA-s, kundër Turqisë edhe Senegalit, unë kam qenë në gjendje shumë të vështirë për të grumbulluar lojtarët. Edhe  lojtarë që i kisha në atë kohë, Enis Alushi, Anel Rashkja, e të gjithë lojtarët e tjerë që kanë qenë, meqenëse ndeshjet nuk ishin në datat e UEFA-s dhe FIFA-s klubet nuk i lironin.

Kësisoj unë kërkova  nga Shqipëria për Debatik Currin, mirëpo lojtari që do të vinte ka qenë Arlind Ajeti. Kryetari kontaktoi direkt me familjen Arlindit edhe në një farë forme është premtuar që do të vinte për të luajtur. E kujtoj si sot që deri ditën e ndeshjes e kam pritur në hotel “Emerald”, Arlind Ajetin, por nuk erdhi”, ka deklaruar Bunjaku.