Australia lejon vizitat në shtëpi, hap plazhet dhe lehtëson kufizimet

Sidnej - Shteti më i populluar i Australisë tha të martën se do të lehtësojë disa kufizime në lëvizje, ndërkohë që plazhet u hapën mes shpresave se një politikë e testimit të gjerë mjekësor do të ndihmojë në frenimin e rasteve të reja të koronavirusit.

Plazhi Bondi dhe dy plazhet fqinje në Sidnej u rihapën për banorët e zonës të martën pasi u mbyllën një muaj më parë për shkak të turmave të mëdha që shkelnin rregullat e distancës sociale.

Australia regjistroi vetëm një rast të ri të COVID-19 nga një burim i panjohur në 24 orët e fundit, që tregon se  transmetimi në komunitet pothuajse ka ndalur, tha Ministri i Shëndetësisë Greg Hunt.

"Ne jemi duke fituar, por nuk kemi fituar ende," tha ai.

Shteti i New South Wales, i cili është vatra e pothuajse gjysmës së afro 6,700 rasteve të Australisë me COVID-19, tha se do të lejojë që dy të rritur të vizitojnë shtëpinë e një personi tjetër nga e premtja,

"Dy të rriturit do të jenë në gjendje të shkojnë dhe të vizitojnë këdo tjetër në shtëpinë e tyre në bazë të kujdesit, në bazë të zvogëlimit të socializimit dhe shëndetit mendor të gjithëve."

Fëmijët u lejuan të shoqërojnë të rriturit në vizitat në shtëpi, shtoi Berejiklian.

Australia, e cila mbylli kufijtë e saj të jashtëm dhe të brendshëm, imponoi një mbyllje të hershme të bizneseve dhe nxori rregulla të rrepta për distancimin shoqëror, duke shmangur numrin e lartë të rasteve të koronavirusit dhe vdekjeve që shihen në vendet e tjera.

Shtetet e Australisë kanë filluar të heqin disa kufizime pasi niveli vendas i infeksioneve të reja ngadalësohet me 1% në ditë, krahasuar me 25% një muaj më parë. Vendi ka regjistruar 84 vdekje të lidhura me virusin.

Qeveritë e shtetit kanë krijuar qendra të testimit të koronavirusit dhe duan që njerëzit të bëjnë teste, pavarësisht nëse kanë apo jo simptoma.

Rreth 2.44 milion Australianë, ose rreth 10% e popullsisë, kishin shkarkuar një aplikacion smartphone të "gjurmimit të kontaktit" të qeverisë për të monitoruar përhapjen e sëmundjes, më pak se dy ditë nga fillimi i saj.