‘Dinjiteti nuk shkelet për asnjë arsye’/ Çfarë do të ndodhte me Ramën, nëse do të drejtonte Gjermaninë?!

Që nga koha e shpalljes së emergjencës dhe gjendjes së jashtëzakonshme me rastin e pandemisë COVID-19 në Shqipëri, Edi Rama, nuk e ka fshehur arrogancën, cinizmin dhe deri talljen e hapur me shqiptarët.

I pranishëm personalisht në rrjet çdo ditë, 24 në 24 orë, kryeministri nuk e ka mbajtur dorën duke tallur dhe nëpërkëmbur dinjitetin e qytetarëve. Rama nën justifikimin se shpëtimi i sa më shumë jetëve njerëzore është mbi gjithçka, nuk është përmbajtur duke tallur ndjekësit e tij në FB. Janë me dhjetëra rastet kur shqetësimit të qytetarëve ai ju përgjigjet me tallje, përbuzje dhe më së shumti me arrogancën e ‘babait’, i cili të tërheq veshin e madje edhe të rreh sepse po të shpëton jetën.

Duke bombarduar qytetarët me situata hipotetike, sikur do të vdisnin kaq e aq mijëra shqiptarë nëse ai nuk do të vepronte me ‘dorë të hekurt’, Edi Rama, i ka dhënë atributet vetes për të nxjerrë shqiptarët me turne sipas gjinisë e moshës, e madje duke i çakërdisur me fasha oraresh, që nuk zbatohen në këtë mënyrë në asnjë vend tjetër të botës.

Nëse i shkruan se nuk ka të ardhura të mjaftueshme as për të paguar energjinë elektrike, apo madje edhe për ushqim për fëmijët, ai të përgjigjet me dhunën e fjalës: Po paratë për internet ku i gjen?!

‘Por jo çdo gjë i duhet nënshtruar shpëtimit të jetës njerëzore dhe për hir të kësaj të shkelësh dinjitetin e njerëzve’,  mendon një nga politikanët dhe ekspertët më me reputacion në Gjermani, ish-ministri gjerman i Financave dhe aktualisht kryetar i Bundestagut gjerman, Wolfgang Schäuble.

Në një intervistë për gazetën ‘Der Tagesspiegel’, ish-ministri thotë se dinjiteti i njeriut është i paprekshëm.

‘Nëse ka një vlerë absolute të ankoruar në Kushtetutën tonë, kjo është dinjiteti i njeriut, që është i paprekshëm. Por kjo nuk përjashton se duhet të vdesim. Është shteti që duhet të sigurojë kushtet në të mira sanitare të mundshme, por për fat të keq njerëzit do të vazhdojnë të vdesin për shkak të CoVid-19. Sa më shumë të zgjasë kufizimi, aq më të rënda do të jenë pasojat’, ka thënë ai për gazetën.

Tani mendojeni që ky shqetësim po ngrihet në një vend si Gjermania, ku Merkel dhe gjithë shtetarët flasin duke u futur nën lëkurën e gjermanëve të thjeshtë, ndërkohë që dhuna verbale, tallja e hapur dhe nëpërkëmbja e dinjitetit, në Shqipëri konsumohet rregullit dhe është kthyer në ‘sportin’ më të preferuar nga vetë kryeministri i vendit.