Rama-Vuçiç, bilanci i dy miqve. KE: Shqipëria dhe Serbia, ekonomitë më të dobëta në Ballkan

Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç nuk janë vetëm dy miq të mirë. Ata kanë dhe një të përbashkët tjetër. Janë dy kryeministrat me rezultatet më të dobëta ekonomike në Ballkan. Konfirmimi vjen nga Komisioni Europian.

Në raportin e fundit periodik mbi 7 vendet kandidate, Komisioni vëren se Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet me rritjen më të ulët ekonomike. Sipas raportit, për vitin 2016 rritja ekonomike në Shqipëri do të jetë 3.2 për qind, ndërsa në Serbi 2 për qind.

Të gjitha vendet e tjera të rajonit do të kenë një rritje më të lartë ekonomike. Sipas dokumentit, në Maqedoni dhe Turqi, rritja ekonomike e këtij viti vlerësohet 3.5 për qind, ndërsa në Malin e Zi prodhimi është zgjeruar me 3.6 për qind.

Komisioni Europian vërën se rritja ekonomike është përmirësuar në të gjitha vendet gjatë tremujorit të dytë të vitit, por sipas tij ajo mbetet ende modeste.

Borxhi i lartë

Serbia dhe Shqipëria nuk janë vetëm vendet me rritjen më të ulët ekonomike në rajon. Ato kanë dhe treguesit më problematik të borxhit publik dhe kredive të këqija.

Në Serbi borxhi publik llogaritet në 72.9 për qind e Prodhimit Kombëtar, që përbën dhe nivelin më të lartë në rajon. Pas Serbisë në vendin e dytë renditet Shqipëria me rreth 70.9 për qind e PBB-së.

Madje, sipas Komisionit Europian borxhi publik i Shqipërisë vazhdoi të rritej nga 70.4 për qind e Prodhimit Kombëtar që ishte në tremujorin e parë në 70.9 për qind në tremujorin e dytë. Në të gjitha vendet e tjera të rajonit, niveli i borxhit publik është dukshëm më i ulët deri në 13 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Kreditë e këqija

Por veç borxhit një tjetër tregues negativ mbetet ai i kredive të këqija. Sipas Komisionit Europian në Serbi, kreditë e këqija ishin 20.2 për qind, ndërsa në Shqipëri ato qëndruan në nivelin 20 për qind të totalit. 

Të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë nivele deri në dy herë më të ulëta se këto të kredive të këqija. Më konkretisht në Malin e Zi kreditë e këqija janë 13.4 për qindm në Maqedoni 10.3 ndërsa në Turqi huatë me probleme llogariten vetëm në 3.1 për qind e totalit.

Niveli i lartë i kredive të këqija është shkaku kryesor se pse kredia për ekonominë është zhytur në një krizë të stërzgjatur. Edhe në këtë tregues, pra kreditimin e ekonomisë, Shqipëria dhe Serbia janë sërish dy vendet e fundit në rajon.

Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç janë dy kryeministrat që u pëlqen t’i quajnë si liderat e rajonit. Por bilanci i tyre qeverisës, të paktën në rrafshin ekonomik, i rendit të fundit e rajonit. 

SYRI.net