Sherri në Fier/ Rrahu gazetarin pasi dyshonte se dilte me të dashurën e tij, pezullohet nga detyra polici

Dalin detaje të reja nga sherri në qytetin e Fierit, ku i përfshirë ishte edhe një polic.

Punonjësi i patrullës së policisë ka qënë jashtë orarit të shërbimit, civil por kjo nuk e ka ndaluar të nxjerë tabelën dhe të tentojë të ndalojë një makinë, e cila drejtohej nga një gazetar që administron një portal informativ.

Pasi e ndalon, polici i shoqëruar nga një person tjetër shkon dhe e qëllon me një çekiç xhamin e makinës dhe bashkë me një shok tjeter e qëllon edhe me grushte.

Gjithë ngjarja ka ndodhur pasi polici pretendon se gazetari kishte dalë me të dashurën e tij.

Pamjet e sherrit:

Ndërkohë ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila ka pezulluar nga detyra punonjësin e saj.

Njoftimi:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pezullon menjëherë nga detyra punonjësin e patrullës në Stacionin e Policisë Roskovec, shtetasin A. B., pasi:

Sot, rreth orës 20:00, ky punonjës policie, jashtë orarit të shërbimit, në afërsi të sheshit qëndror të qytetit të Fierit, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta automjetin e shtetasit Xh. O. dhe është konfliktuar fizikisht me të.

Pas ndërhyrjes së patrullës është bërë shoqërimi i menjëhershëm i shtetasit A. B. në Komisariatin e Policisë Fier dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. 

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit dhe SHÇBA-së, po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë.