Veseli: Nuk ishte treni problem, por mbishkrimi 'Kosova është Serbi'

Kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli, në një intervistë për gazetën prestigjioze austriake “Die Presse”, ka thënë se ajo që po ndodh sot në Veriun e Kosovës kujton operacionet në Gadishullin e Krimesë, para se ajo u aneksua nga Rusia.

Veseli duke folir për provokimin e Serbisë me nisjen e një treni drejt Mitrovicës, ka thënë se mbishkrimet që ai i mbante, kanë qenë provokime politike të Beogradit.

“Për ne, nuk është treni si tren problem. Që nga 3 marsi i vitit 2008 ekziston linja hekurudhore nga Kraleva e Serbisë për në Mitrovicë, në veri të Kosovës. Ne jemi që njerëzit të lëvizin lirshëm. Por, ky tren kishte të bënte me diçka tjetër. Ai mbante mbishkrimin “Kosova është Serbi.” Ky është një provokim politik i Beogradit. Ne nuk kemi nevojë për gjëra të tilla”, ka thënë Veseli në këtë intervistë.

I pyetur rreth deklarimeve të ashpra të liderëve të Serbisë pas incidentit me trenin, ai ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë përdorur gjuhë të njëjtë.

Jo, përkundrazi. Institucionet tona nuk kanë reaguar ashpër. Ato kanë bërë vetëm atë për të cilën janë përgjegjëse. Udhëheqësit serbë me këtë veprim kanë dashur të demonstrojnë pushtetin e tyre në Kosovë. Këtë, ne nuk e kemi pranuar”, ka thënë Veseli, përcjellë Zëri.

Për deklaratat e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, se, po qe nevoja, do ta dërgojmë edhe ushtrinë në Kosovë, kreu i Kuvendit Veseli, ka thënë se Kosova do të përpiqet më çdo kusht t’i shmanget konfliktit.

“Deklarata e Nikoliqit është një provokim. Ne do të përpiqemi me të gjitha mjetet për të shmangur një konflikt. Por, Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të tolerojë asnjë agresion të Serbisë. Serbia ka bërë shumë luftëra, me pasoja të tmerrshme. Shumë bashkatdhetarëve të mi kjo u ka kushtuar me jetë. Ne shpresojmë se epoka e konflikteve në Ballkan ka përfunduar”, ka shtuar Veseli për gazetetën “Die Presse”.

Mosmarrëveshjet me Serbisë, Veseli vlerëson se ato mund të zgjidhen në Bruksel, duke shtuar se provokimi me trenin nuk ishte aspak i nevojshëm.

Gjatë kësaj interviste, Veseli ka folur edhe për rastin e arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se arrestimi i tij pas 18 vjetësh me fletarrestime të Serbisë, janë të padrejta.

“Ne duam të shmangim çdo mosmarrëveshje me Francën për këtë çështje. Urdhër-arrestet e Serbisë, 18 vjet pas luftës në Kosovë, janë të padrejta. Nga Gjykata e Krimeve të Luftës të OKB-së për ish-Jugosllavinë në Hagë, Haradinaj qe shpallur i pafajshëm”, ka shtuar Veseli.

Sa i përket krijimit të Gjykatës Speciale, Veseli ka thënë se kjo ishte e vështirë për Kosovën kur kihet parasysh se këtu u bë luftë çlirimtare. Por sipas tij, ata votuan për themelimin e saj për shkak që njëherë e përgjithmonë të pastrohen akuzat ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.

“Vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale ishte i vështirë për kosovarët, sepse ne kemi udhëhequr një luftë për liri kundër Serbisë. Edhe pse kemi menduar se është i padrejtë krijimi i Gjykatës Speciale, kemi votuar për të – për hir të vendit. Kështu, të gjitha akuzat kundër UÇK-së, si ato të Dick Marty, duhet të pastrohen. Ne presim nga liderët në Serbi që të na respektojnë dhe ta njohin Kosovën si shtet të pavarur”, ka deklaruar Veseli.

Kurse për politikën amerikane në Ballkan pas ardhjes së presidentit Donald Trump në krye të ShBA-së, ai ka thënë se edhe pas kësaj, marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në do të vazhdojnë të jenë shumë të mira.

“Prioriteti ynë është integrimi në BE. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet tona me SHBA-të janë thelbësore. Jemi shumë të sigurt që edhe me zgjedhjen e Presidentit  të ri, Donald Trump, marrëdhëniet do të vazhdojnë të jenë shumë të mira. Rreth politikës ruse në Ballkan, jemi shumë të shqetësuar. Çfarë po ndodh në veri të Kosovës, na kujton operacionet në Gadishullin e Krimesë, para se ajo u aneksua nga Rusia. Shpresojmë se Serbia, si dhe Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, nuk kryejnë provokime në Evropë, në emër të Rusisë”, ka përfunduar ai.