Drejtori i Tiranës për Syri TV: Sezonin duam ta mbyllim në fushë

Në momentin e ndërprerjes së kampionatit për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, në krye të renditjes ishte Tirana, me 9 pikë më shumë se Kukësi.

Dhe janë pikërisht bardheblutë ata që më shumë se të gjithë, shpresojnë që Superliga të rifillojë.

Nëse do të plotësohet kërkesa e FSHF-së, data 2 maj do të jetë rifillimi i seancave stërvitore, ndërsa më 20 maj pritet të rinisë pjesa e mbetur e kampionatit, ku janë për t’u luajtur edhe 10 ndeshje.

Drejtori Sportiv i Tiranës, Arbi Laçi, dha një intervistë për gazetaren Enkeleida Zeko në Syri TV, ku foli për gjendjen te 24 herë kampionët e vendit.

Jemi njohur me vendimin e FSHF-së për të nisur seancat stërvitore në datën 2 maj dhe tani pritet konfirmimi nga strukturat përkatëse qeveritare. Si po i kaloni këto ditë karantine, është gati skuadra të rinisë stërvitjen më 2 maj?

Përshëndetje dhe urime për misionin e ri mediatik që keni marrë si televizion. Uroj që të përkojë starti juaj me ristartin tonë në këtë pjesë të fundit të sezonit. Kemi kaluar një kohë të vështirë të gjithë ku u prek dhe futbolli, madje më shumë nga të gjithë, pasi ne nuk ekzistojmë nëse nuk zbresim në fushë. Kjo periudhë ka qenë shumë ekstreme. Klubet, dhe jo vetëm ne te Tirana, por në përgjithësi e kanë përjetuar këtë situatë. Isha dhe jam besimplotë që muaji maj do të na rikthejë në pozita pune, për një pjesë të fundit jo normale të sezonit. Ne e kemi thënë që në fillim që duhet ta mbyllim në fushë. Nuk do të kishte vlerë nëse kampionati nuk do të përfundonte. Unë mendoj se me gjithë normalitetin e të munguarit të tifozëve në shkallët e stadiumit, duhet ta luajmë kampionatin.

Te klubi i Tiranës si është gjendja e lojtarëve dhe a ju shqetëson se mund të përfundojë kontrata me ndonjë futbollist në fund të muajit maj?

Si një situatë e paprecedent që nuk e kemi përjetuar kurrë më parë, natyrisht nuk kemi ditur të sillemi në ditët e para të saj. Unë personalisht, por dhe presidenti dhe drejtues të klubit kemi qëndruar në kontakt të përditshëm. Në ditët e para kemi kontaktuar edhe për çështje përtej futbollit me ta, sidomos me futbollistët e huaj të cilët kanë qenë të izoluar këtu, larg familjeve të tyre. Kështu që na është dashur të ruajmë një marrëdhënie njerëzore, humane më shumë sesa sportive. Tani që gjërat po normalizohen, kemi nisur të diskutojmë edhe për futbollin, për datën se kur do të nisë dhe kur do të mbyllet sezoni. Pas këtij momenti do të ulemi të bisedojmë edhe për gjëra të tjera teknike, për zgjatjen e kontratave. Shumë prej tyre u përfundon kontrata në fund të majit apo qershorit, por ne do të shkojmë deri në fund të korrikut nëpërmjet marrëveshjes së re. Megjithatë këto janë gjëra teknike dhe me futbollistët do t’i diskutojmë një për një.

Përsa i përket raporteve financiare, që kanë krijuar një pështjellim në mbarë botën, te ju a janë bërë pagesat e rregullta sipas kontratave, apo ka patur ndryshime të krijuara nga COVID-19?

Situata financiare do të prekë jo vetëm futbollin, por këdo në botë. E përmenda që në fillim që na duhej një datë rifillimi dhe një datë përfundimi, për të kuptuar se sa muaj do të zgjaste ky sezon i cili ka nisur që në muajin gusht. Kështu që duke shpresuar se data e fillimit do të jetë po themi 24 maj dhe data e mbylljes po marrim limitin, 3 gusht, do të arrijmë të kuptojmë se deri ku do të shkojmë. Problemet financiare për klubin tonë në këtë sezon nuk kanë qenë të pranishme në asnjë moment, për më tepër kemi punuar përtej kësaj, duke dhënë edhe bonuse. Shpresoj shumë të rikthehemi të luajmë dhe të marrim atë që duhet të marrim si nga ana financiare, ashtu edhe trofetë sezonalë për të cilët kemi punuar gjatë këtij sezoni.