UEFA ndan 70 milion euro për klubet, ja kush përfiton nga Superliga

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi sot që të shpërndajë një fond prej 70 milionë eurosh për klubet që kanë lejuar lojtarët e tyre të luajnë në eliminatoret e EURO 2020.

Ky vendim i UEFA-s vjen në një moment të vështirë për të gjitha klubet europiane, të cilat tashmë do të "marrin frymë" disi më lirshëm.

Janë 676 klube nga 55 vendet anëtare të UEFA-s, që do të përfitojnë nga fondi prej 70 milionë eurosh.

Nga kampionati shqiptar do të përfitojnë Partizani dhe Laçi.

Alban Hoxha dhe Lorenc Trashi kanë qenë pjesë e Kombëtares gjatë eliminatoreve të EURO 2020 nga ekipi i Partizanit, ndërsa nga Laçi pjesë e kuqezinjve ka qenë portieri Gentjan Selmani.

Edhe pse "gardiani" në fillim të këtij sezoni u transferua në kampionatin turk te Menemenspor, klubi kurbinas do të përfitojë nga fondi i UEFA-s, pasi në kohën kur ishte i grumbulluar me Kombëtaren, Selmani ishte pjesë e Laçit.

Por si do të ndahen bonuset e UEFA-s?

Në total UEFA kishte planifikuar të shpërndante 200 milionë euro për klubet që lejuan futbollistët e tyre të grumbullohen me kombëtaret respektive.

Ishte planifikuar që të ardhurat të shpërndaheshin pas përfundimit të "Play-Off"-eve të Kampionatit Europian, por duke parë situatën aktuale të klubeve nga COVID-19, pagesa e bonuseve do të bëhet tani.

Nga 200 milionë euro, 70 milionë do t'u jepen klubeve që lojtarët e tyre luajtën me Kombëtaret gjatë eliminatoreve të Kampionatit Europian, ndërsa 130 milionë të tjera do t'u ndahen klubeve që do të kenë lojtarët pjesëmarrës në Europianin që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.

Ndarja

50 milionë euro do të shkojnë për klubet që kanë lëshuar lojtarë për 39 skuadrat kombëtare që nuk janë të përfshirë në play off-et e Kualifikuesve të Evropianit.

17,7 milionë euro do të shkojnë për klube që kanë lëshuar lojtarë për 16 skuadrat kombëtare që marrin pjesë në “Play-Off”-et e Kualifikuesve të Evropianit.

Pra, klube nga 55 vendet anëtare të UEFA-s do të marrin shuma që variojnë nga 3,200 euro deri në 630,000 euro për kontributin e tyre në Kualifikueset e Evropianit për periudhën 2018-2020.