Meta: Aksioni im ka qenë është dhe do të jetë në mbrojtje të Kushtetutës

Presidenti Ilir Meta, i ka konsideruar si të domosdoshme ndryshimet në Kodin Penal, në luftën kundër pandemisë. Deklaratën Meta e ka bërë në emisionin ‘Opinion’.

‘Së pari duhet të kemi parasysh që kishte një boshllëk në Kodin Penal për menaxhimin e një situate të tillë. Së dytë nuk duhet të harrojmë që ka një dallim nga propozimet tek ndryshimet e miratuara në Kuvend në variantin final.

Sigurisht që këto ndryshime u realizuan si pasojë e një bashkëpunimi me Avokatin e Popullit, KSHH, e shoqëria civile.

Këtu nuk bëhet fjala për kënaqësi por mund t’ju them se ndryshimet e bëra respektojnë parimet e sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit.

Këto ndryshime të Kodit Penal, pavarësisht se u votuan nga ky Kuvend, që e dimë të gjithë se çfarë problemesh ka, duhet të kemi parasysh që ishin të rëndësishme dhe të domosdoshme, sepse ne nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo situatë.’

Ndërkohë që Meta ka folur edhe për marrëdhëniet me Ramën në këtë kohë pandemie

Meta: Aksioni im ka qenë është dhe do të jetë në mbrojtje të Kushtetutës

Fevziu: A jeni në një periudhë dashurie me Ramën?

Meta: Nuk do doja të flisja për dashuri në kohë pandemie. Këtu bëhet fjala për një ushtrim të përgjegjshëm të përgjegjësive të mia si kryetar i shtetit.

Nëse dikush mendon që unë në këtë situatë duhet të ve theksin tek gjërat e tjëra, kjo nuk është rruga e duhur për adresimin e problemeve me të cilat aktualisht përballet e gjithë shoqëria jonë.

Fevziu: A i qëndroni idesë se kjo mazhorancë ka kapur të gjithë institucionet?

Meta: Ky është një qëndrim i konsoliduar i imi prej kohësh. Me rëndësi është që në këtë kohë të kemi një rol me integritet të Komitetit të Ekspertëve.

Aksioni im ka qenë, është dhe do të jetë në mbrojtje të Kushtetutës.