Mposhti koronavirusin, mjeku Xhaxho: Ja çfarë kërkoja në çastet më të vështira, si e kalova pa....

Mjeku i njohur reanimator, Roland Xhaxho, që doli sot nga Spitali Infektiv, pasi mposhti plotësisht koronavirusin, flet për herë të parë për sëmundjen dhe atë që ndodhi brenda mureve të spitalit.

Në një lidhje telefonike për News24, mjeku Xhaxho thekson se pesë ditët e para të përballjes me COVID-19 ishin më të vështirat, ndërsa tek Infektivi nuk është futur në reanimacion, por mjekët i kanë krijuar një zonë si reanimacion, me respirator dhe të gjitha pajisjet.

Ai tha se e veçanta e tij në spital, që ka befasuar edhe kolegët e tij mjekë, ishte se në momentet më të vështira, ai donte të dëgjonte muzikë, edhe pse ishte me maskë dhe oksigjen në fytyrë.

“Duke qenë mjek reanimator dhe duke i njohur komplikimet, për mua ishte e papritur, por ndodhi. Ditët e para, tek unë u shfaq me temperaturë, më pas me humbjen e oreksit. Kjo më shqetësoi dhe u detyrova të bëja tampon e skaner, ku rezultoi që isha pozitiv. Ditët e para ishte shumë e vështirë, pasi karakteristike e kësaj sëmundje është temperature dhe problemet respiratore, pasi krijon probleme me frymëmarrjen. Kështu që u detyrova të shtrohem në spital. Pesë ditët e para kanë qenë më të vështira. Unë e kalova pa u intubuar, falë mjekimit”, tha mjeku Xhaxho.

A ka pas rast kur jeni ndjerë në vështirësi dhe keni pas frikë?
Kjo më detyroi të shtrohesha në spital, por unë nuk u futa në reanimacion. Krijuan mjekët një zonë thuajse si reanimacion tek Infektivi, me respirator, e të gjitha pajisjet. Unë monitoroja veten, duke qenë dhe mjek. Unë pëpiqesha, bashkë me kolegët, që të gjenim një regjim të respiratorit sa më optimal. E veçanta ime, që iu bënte përshtypje kolegëve, ishte se në momentet më të vështira doja të dëgjoja muzikë, edhe pse isha me maskë dhe oksigjen në fytyrë.