Liria e shtypit në rënie/ RSF: Në Shqipëri ndalohen gazetarët, problem ‘ligji antishpifje’

Shqipëria ka humbur dy vende në raportin për lirinë e shtypit në botë të Reporterëve Pa Kufij, për vitin 2020.

Në vitin 2019, Shqipëria u rendit në vend të 82, por për një vit ajo ka humbur dy vende duke u renditur në vendin e 84, për shkak të përkeqësimit të lirisë së medias dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Shqipëria ka rënë 7 vende që prej vitit 2018, duke shënuar një përkeqësim serioz të lirisë së shtypit dhe të të drejtave të gazetarëve në një vend kandidat për anëtar në BE. Para Shqipërisë renditet Haiti, Kirgistani, Maldivet, Qipro Veriore (pjesë e Turqisë), dhe Timor-Leste.

Madje edhe Malta u rendit më mirë se sa Shqipëria, pavarësisht se këtë vit kryeministri dha dorëheqjen, pasi u publikuan lidhjet e tij në vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia. Shqipëria la pas Sierra Leonen, Hungarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Sipas raportit, në vitin 2019, qeveria me justifikimin për të kontrolluar lajmet e rreme, u përpoq të kontrollonte mediat në vend, duke ndaluar edhe gazetarët.

E ashtuquajtura paketë anti-shpifje u votua nga Kuvendi në muajin dhjetor. Kjo paketë ligjore rrit censurën dhe i bën gazetarët më të prekshëm nga presioni i qeverisë.

Zbatimi i plotë i këtyre ligjeve do të ‘përkeqësojë më shumë situatën e lirisë së medias në një vend, ku qeveria në mënyrë të rregullt ndalon aksesin e gazetarëve në infromacionin zyrtarë dhe kontrollon tregun e televizioneve përmes shpërndarjes së licensave të transmetimit’.

Raporti i Reporterëve pa Kufij:

Reporterët pa Kufij ka kritikuar qeverinë për përdorimin e tërmetit si një justifikim për të arrestuar dhe për të burgosur gazetarët dhe për të penguar lirinë e medias. Gjithashtu, në raport thuhet se dy gazetarë dhe aktivistë u arrestuan për përhapje të lajmit të rreme dhe mediat online kritike ndaj qeverisë u mbyllën.

Më 2019, qeveria shtoi përpjekjet për të marrë nën kontroll median me justifikimin e luftimit të lajmeve të rreme. Në dhjetor, shumica votoi në parlament një paketë ‘anti-shpifje’ që shtrëngonte rregullat për median online. Duke kufizuar lirinë e shprehjes, informacionit e shtypit, dhe duke shkuar kundër praktikave më të mira ndërkombëtare, dy ligjet rrezikojnë rritjen e censurës dhe i bëjnë gazetarët më vulnerabël përballë presionit të qeverisë.

Refuzuar nga Presidenti i Shqipërisë, ligjet janë kthyer sërish në parlament, i cili mund ta anulojë refuzimin e kreut të shtetit. Që nga mesi i marsit, megjithatë, duket se ligjet kanë mbetur pezull, pas kritikave nga shtatë organizata shtypi ndërkombëtare, përfshirë RSF, dhe pas vizitës së Presidentit të Parlamentit Evropian në Shqipëri.

Ligjet do ta rëndonin më tej situatën e lirisë së shtypit në një vend ku qeveria kufizon rregullisht eksesin e gazetarëve në informacioni zyrtar dhe kontrollin tregjet televizive përmes dhënies së licencave të transmetimit. Viti 2019 u shënua edhe nga abuzimi me situatën kritike për lirinë e shtypit. Në kontekstin e tërmetit shkatërrues, dy gazetarë dhe një aktivist u arrestuan për përhapje ‘lajmesh të rreme’ dhe ‘shkaktim paniku’, ndërsa portale online, kritike ndaj qeverisë, u mbyllën nga organizmat qeveritarë.

Me shpërthimin e coronavirusit në mars 2020, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve të ruheshin nga, midis të tjerash, media. Sulmet fizike dhe paditë për shpifje në rritje nga ana e zyrtarëve kundër gazetarëve vazhdojnë të mbajnë klimën e pasigurisë dhe intimidimit. Kjo – kombinuar me gjuhën denigruese të politikanëve – i kthen reporterët në shënjestra të mundshme agresioni. Ndërkaq, autoritetet e vendit që aspiron të hyjë në BE nuk arrijnë të zbardhin e të dënojnë raste të ndryshme sulmesh fizike dhe kërcënime serioze kundër gazetarëve.