Basha: Rikard Ljarja, ikonë e artit që ndriçoi për vite errësirën e kobshme të regjimit

Kryetari i opozitës Lulzim Basha i ka shprehur sot ngushëllimet më të thella familjes Ljarja për ndarjen nga jeta të artistit të madh Rikard Ljarja. Në një shënim në Fb, Basha shpreh konsideratat më të larta për këtë personalitet të kinematografisë, i cili, siç e thekson, "me punën e tij ndriçoi për vite me radhë errësirën e kobshme të regjimit të kaluar."

Basha shkroi në Fb:

"Rikard Ljarja ishte dhe do të mbetet artisti i madh që mbushi zemrat e shqiptarëve për dekada me radhë. Ndarja e tij nga jeta është një lajm i trishtuar jo vetëm për brezat që u rritën me personazhet e filmave të tij, por dhe për më të rinjtë që humbën një pasuri kombëtare të artit dhe kinematografisë.

Në këtë ditë të vështirë për familjen Ljarja i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta bashkëshortes së tij znj. Marjeta Ljarja dhe familjes së aktorit tonë të dashur, si dhe kolegëve e miqve të tij në botën e artit.

Rikard Ljarja do të nderohet dhe kujtohet përherë si ikonë e artit shqiptar, si personaliteti që me punën e tij ndriçoi për vite me radhë errësirën e kobshme të regjimit të kaluar. Arti i tij do të na shoqërojë për gjatë në skenën e madhe të jetës, ku Rikard Ljarja spikati me qytetarinë dhe talentin e tij gjenial."