ISHP: R0 është poshtë 1! Epidemi e butë, 21 fëmijë të infektuar

Entela Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik iu përgjigj interesit për të mësuar se sa është R0 në Shqipëri, ose ndryshe shkalla e infektueshmërisë së një personi të prekur nga koronavirusi në Shqipëri. Ajo tha se R0 është poshtë 1, që do të thotë se një person i prekur infekton më pak se 1 person tjetër.

“Aktualisht në situatën epidemiologjike, që nga fillimi i epidemisë, deri tani që flasim, është përllogaritur që R0 të jetë më e vogël se një,” tha Tomini. Vende si Gjermania dhe Italia thonë se ky indeks në shtetet e tyre është afër 0.8.

E pyetur sa shtretër janë në dispozicion, Tomini tha se janë 310 shtretër në spitalet Covid, te Infektivi dhe Sanatoriumi.

“Ne kemi në gatishmëri me 120 dhe 190 shtretër dy spitalet Covid-19,” tha Tomini duke shtuar se po përgatiten edhe dy spitale të tjera Covid në vend.

Tomini tha se janë 21 fëmijë të prekur nga virusi në vend që nga nisja e epidemisë.

“Që nga fillimi i epidemisë, ne kemi 21 pacientë të vegjël dhe asnjë prej tyre nuk është i hospitalizuar,” tha ajo.

Tomini theksoi dy herë se “epidemia në vend ka qenë e butë”.