Papa: Mëshira është përgjigjja ndaj krizës s? koronavirusit

Në të Dielën e Mëshirës Hyjnore, Papa Françesku kremtoi Meshën në Kishën romake të Shpirtit Shenjt në Sassia, vetëm pak hapa larg Vatikanit, para lutjes së mesditës të Mbretëreshës Qiellore. Kjo Kishë është shenjtërore kushtuar përshpirtërisë së Jezu Krishtit të Mëshirshëm, promovuar në gjithë botën nga murgesha polake Faustina Kovalska, shpallur shenjte nga Papa Gjon Pali II, edhe ai, tejet i devotshëm ndaj Mëshirës Hyjnore. Vërtet, para 20 vitesh, qe pikërisht shenjti i ardhshëm, që ia kushtoi kishën Mëshirës Hyjnore.

Duke pasur parasysh kohën e pandemisë, që po kalojmë, Ati i Shenjtë zgjodhi fjalë, që flasin jo vetëm për sot, kur të gjithë jemi mbyllur nëpër shtëpi, por edhe për nesër, kur do të dalin në pah vështirësi të tjera, kryesisht ekonomike. E Papa bëri thirrje që askush të mos mbetet mbrapa.  Është “e diela e ringjalljes së dishepullit”, e quajti Papa këtë të diel, në të cilën Zoti nuk e la pas dishepullin e vet, por tregoi mëshirë e durim me të.

“Në jetë – theksoi Bergoglio – ecim përpara me të prekur, si fëmija që fillon të hedhë hapat e para, por bie; pak hapa e bie prapë; bie e bie sërish e, çdo herë, i ati e ngre. Dora, që na ngre gjithmonë, është mëshira: Zoti e di se pa mëshirë, mbetemi përdhe, se për të ecur, kemi nevojë që Ai të na ngrejë sërish në këmbë”.

“Tani – ngriti zërin Françesku – ndërsa mendojmë për daljen e ngadaltë e të lodhshme nga pandemia, përvijohet pikërisht ky rrezik: të harrojmë ata, që kanë mbetur mbrapa. Ka rrezik të na godasë një virus edhe më i keq, ai i egoizmit indiferent. Transmetohet, duke u nisur nga ideja se jeta përmirësohet, nëse përmirësohet për mua; se gjithçka do të shkojë mirë, nëse do të shkojë mirë për mua. Fillohet këtu e arrihet në përzgjedhjen e njerëzve, në mënjanimin e të varfërve, në sakrifikimin e atyre, që kanë mbetur pas, në altarin e progresit”.zitë

Por pandemia nuk përzgjedh e na kujton se jemi të gjithë njëlloj. Është koha t’i zhdukim pabarazitë, kërkoi Papa, i cili dha shembullin e bashkësive të para të krishtera, ku gjithçka ndahej sipas nevojave ndërmjet anëtarëve. Sot duket e kundërta, denoncoi Françesku. Një pjesë e vogël e njerëzimit ka ecur përpara, ndërsa shumica ka mbetur mbrapa. “Të mos mendojmë për interesat tona, për interesat vetjake – kjo, thirrja përfundimtare e Atit të Shenjtë. – Ta jetojmë këtë sprovë si mundësi për të përgatitur të nesërmen për të gjithë. Sepse pa një vizion të përbashkët nuk do të ketë të ardhme për askënd”.