Deputeti miliarder Alfred Peza: Unë jam djalë kovaçi dhe nip shoferi

(Foto ilustrim)

Ish-gazetari dhe deputeti miliarder i Partisë Socialiste Alfred Peza ka dalë të justifikojë sot pasurinë e tij 1.1 miliardë Lekë.

Në një intervistë në emisionin “Top Story”, Peza e nisi bisedën duke tentuar ta spostonte vëmendjen nga pyetja kryesore: Si e vendosi pasurinë deputeti dhe ish-gazetari Alfred Peza?

Me tolerimin edhe të drejtuesit Sokol Balla, Peza e kanalizoi debatin tek jetesa modeste që bën ai dhe familjarët e tij.

Duke treguar se çfarë profesioni kanë prindërit e tij, familjarët e të afërmit (për të cilët askush nuk e ka pyetur), deputeti socialist përmendi disa herë faktin se pavarësisht që ka miliona, ai bën jetë modeste për shkak se dëshiron që fëmijëve t’u mundësojë jetesë sa më të mirë.

Dhe për këtë përdori "kartën e viktimës". “Unë jam djalë kovaçi dhe nip shoferi”, tha Peza.

Por pavarësisht të gjitha, sërish gënjeu në transmetim direkt. Duke u përpjekur të sqaronte deklaratën e tij të disa ditëve më parë se rrogën e ka patur 10 milionë Lekë në Vizion Plus, sërish gënjeu.

Në dokumentin që serviri nga televizioni në fjalë, thuhej se paga e ish-gazetarit ka qenë 9.8 milionë Lekë të vjetra neto.

Duke sqaruar këtë shifër, Alfred Peza tha se nga 9 milionë e 800 mijë Lekë të vjetra atij i mbeteshin rreth 7 milionë të vjetra për shkak të taksave. Por, pyetja e drejtuesit Sokol Balla e kapi ngushtë duke mos kthyer asnjë përgjigje: Në dokument thuhet që janë 9.8 milionë lekë neto jo bruto, për pasojë nuk ulet në 7 milionë Lekë të vjetra.