Rama po zbavitet me shqiptarët

Pasi “me të drejtën e mbretit” anuloi në Facebook po ato gjoba që kishte urdhëruar në “shtetin e facebook-ut”, udhëheqësi që po mendon natë e ditë për të shpëtuar sa më shumë jetë, urdhëroi sot daljen e pensionistëve në ajrim. Por, për të mos mbetur këtu, udhëheqësi i madh vendosi të jetë edhe më zemërgjerë, dhe lajmëroi nga krevati i tij në Surrel se nesër, të dielën e 19 prillit, do ta gëzojnë zemërgjerësinë e masave të tij edhe nënat me fëmijët e vegjël, që do të shëtisin në parkun e madh të lojrave të tij. Është koha që të nxjerrë në pah se nuk i bëri më kot sheshet e qyteteve, pikërisht për të praktikuar provat e tij, talljet e tij publike.

Nga e hëna ka shumë gjasa të shpallë edhe orën e fiskulturës për moshat e ndryshme, pastaj në ditët në vijim, do të jenë me radhë, orari i dhënies së gjirit në publik, e më pas do caktojë ditët e shtatzanisve dhe aborteve.

Lideri i di të gjitha! Madje, ai edhe mundet të shtojë numrin e të infektuarve, por edhe mund ta mbyllë fare këtë histori, duke shpallur fitoren mbi covid-19. 

“Nëse dëshiron të shohësh një shoqëri se sa e sëmurë është, ndiq gjuhën me të cilën komunikon. Nëse dëshiron të shohësh një lider se sa i sëmurë është, ndiq gjuhën me të cilën ai komunikon. Gjuha është testi më i vërtetë i asaj që fshihet pas mendjeve”, shprehet gjuhëtari dhe filozofi amerikan Noam Çomski, duke na dhënë kështu një orientim të rëndësishëm për të kuptuar atë që po dëgjojmë tashmë në gjuhën e përditshme të Luftës dhe Faljeve që ka shpallur kryeministri ynë. Ndoshta, në ato orët që luan me Zahon e vogël, mendon ndoshta edhe ta argëtojë me talljen që i bën shqiptarëve nga bunkeri në Surrel. Falënderimet e sotme të pensionistëve ishin ato që ai donte të dëgjonte me zë të lartë në çdo televizion.

Mao ce Duni do jetë ndjerë i varfër, në atë dynja ku ka ikur prej kohësh, përballë vendimeve të sotme të kryerilindasit, që si një baba që e ka shpallur veten, pritet vetëm të çojë deri në fund detyrën e babait, duke na i parë nënat tona në bisht të syrit.

Fundja, e ka shpallur që është baba, pavarësisht se nuk e ka botuar në Fletoren Zyrtare.