Falja e gjobave/ Kreu i shoqatës së biznesit, Ramës: Boll gënjeve! Ishin të paligjshme

Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili njoftoi pak më herët faljen e të gjitha gjobave për shkelje të karantinës deri tani, vjen reagimi i kryetarit të Shoqatës së Biznesit të vogël dhe të mesëm, Shpëtim Agolli.

Përmes një reagimi në Facebook, ai i kërkon kreut të qeverisë të lerë propagandën me shifra miliona euroshe, por të ndihmojë biznesin.

"Po çfarë gjobash fale o i papërgjegjshëm. Ti dhe vetë e di që po gënjen, por të paktën mos gënje dy herë për të njëjtën gjë.E para, ku u bazove, në çfarë ligji u bazove që iu vije gjoba qytetarëve, vetëm e vetëm për presion", shkruan ndër të tjera Agolli.

Reagimi i plotë:

Ky është gallatë fare.

I vetmi kryeministër në botë që bën vendime nëpërmjet fb.

-Falen gjobat e vendosura ndaj qytetarëve në këtë periudhë -thotë.

-Po çfarë gjobash fale o i papërgjegjshëm. Ti dhe vetë e di që po gënjen, por të paktën mos gënje dy herë për të njëjtën gjë.

E para, ku u bazove, në çfarë ligji u bazove që iu vije gjoba qytetarëve, vetëm e vetëm për presion.

E dyta, çfarë gjobe hoqe kur ato ishin të kundraligjëshme, apo prite sa të aprovoje ligjin dje në parlament.

E fundit. Na thuaj kur hyn ligji penal në fuqi ta dimë të mos sëmuremi, sepse para se të shkojmë në spital, mos shkojmë në burg qoftë larg për secilin nga ne, se po të jetë për ty, as dëgjon nga ai vesh ti.

Dhe e fundit fare. Boll bëre propagandë me shifra miliona euroshe, po hidhi lekët në treg se nuk janë as të tuat, as të ndonjë tjetri që i ke varur thesin në qafë. Ato janë para të biznesit dhe sot i takojnë vetëm biznesit.

Boll dole në tv, se u bëre si lugati në ëndërrat e fëmijëve dhe mos na trego më filma horror me luftë dhe me varfëri partizane.