Nisin hetimet/ Çfarë ndodhi në azilin e horrorit në Itali

Tashmë nuk ka dyshime se koronavirusi ka goditur më ashpër se kudo në azilet e të moshuarve që nga Italia, në Spanjë, Francë dhe Britaninë e Madhe.

Por një rast i rëndë është regjistruar në Itali në azilin më të madh të të moshuarve në vend. Policia ka nisur hetimet pasi më shumë se 190 persona humbën jetën në azilin Pio Albergo Trivulzio në Milano. Mediat italiane kanë nisur ta quajnë këtë një masakër mbi të moshuarit.

Prokurorët kanë nisur hetimet pas dyshimet se stafi menaxhues nuk i ka lejuar mjekët dhe infermierët që të veshin masa mbrojtëse nga frika se mos alarmonin banorët e azilit.

Një mjek dhe lideri i një sindikate pretendojnë se menaxherët e kanë ulur rrezikun e infeksionit dhe nuk i kanë atribuuar siç duhet shkaqet e vdekjeve. Kurse azili thotë se thjesht nuk kishin tamponë për 1 mijë banorët e azilit në Milano.

Guvernatori i Lombardisë, Attilio Fontana tha se ka ngritur një komision hetimor për këtë çështje. Kreu i sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik në Itali, Giovanni Rezza beson se numri i vdekjeve nëpër azile është nënvlerësuar.

Një shoqatë mjekësh në Lombardi përllogarit se vetëm në provinën e Bergamos kanë humbur jetën në azile të moshuarish 600 persona.

Ndërkohë problemi është i rëndë edhe në Spanjë, ku kanë vdekur 3300 të moshuar në azile pleqsh.