Testimet e Ramës dhe telefonata me Komitetin Teknik

Përgjatë javëve të fundit Edi Rama është kritikuar se ka shkelur papushim mbi Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Megjithatë, në Shqipëri ekziston ende një ishull pavarësie, i cili i ka qëndruar ndaj agresionit juridik të kryeministrit. Ai është Komiteti Teknik i Ekspertëve, që drejton Mira Rrakacolli me Albana Ficon.

I pyetur një ditë më parë se pse Shqipëria nuk kryen testime masive të popullatës si rruga më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit, kryeministri përsëriti të njëjtin justifikim: “Numri i testimeve përcaktohet nga Komiteti Teknik i Eksperteve. Unë jam vetëm përçues i vendimeve që merr Komiteti.”

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht Shqipëria ka kryer 1.6 testime për çdo 1 mijë banorë duke qenë rrotë më rrotë me Ganën, Afrikën e Jugut, Botsvanën dhe Butanin. Të gjitha vendet e rajonit kanë testuar më shumë, ndërkohë që mesatarja e testimeve në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian është dhjetëra herë më e lartë. Por kryeministri thotë se qeveria nuk ka përgjegjësi, pasi vendimmarrja e testimeve është e Komitetit.

Shkurt, me një gur vriten dy zogj.

Së pari justifikohet numri tmerrësisht i ulët i testimeve për fryme që ka Shqipëria në raport me vendet e tjera të ngjashme, dhe së dyti krijohet imazhi i një vendi, ku qeveria respekton institucionet e pavarura dhe qeveris mbi bazën e rekomandimeve të specialistëve.

Kjo narrativë e bukur, më kujton një histori të para disa viteve.

Aty nga viti 2016, disa nga biznesmenët më të mëdhenj në Shqipëri u bënë bashkë për të investuar në një kompani, e cila operonte në sektor strategjik. Bëhej fjalë për një operacion financiar që shkonte gati sa 1 për qind e Prodhimit Kombëtar, por jo të gjithë ishin euforike.

Njëri nga biznesmenët në atë grup, që për mua është një nga njerëzit më inteligjentë të biznesit në Shqipëri, e kishte nuhatur që kompania ishte aset toksik dhe nuk vlente as 20 për qind të çmimit që po negociohej. Por në pamundësi për t’u thënë jo kolegëve që e kishin afruar për shkak të lidhjeve të tjera të biznesit që kishte me ta, iu desh të improvizonte një strategji dalje. Strategjia ishte kjo;

Ditën e transaksionit, teksa të gjithë ishin ulur në tryezën, ku do të nënshkruhej marrëveshja, përpara se të hidhte firmën, u tha kolegëve që unë kam një biznes të strukturuar dhe për çdo vendim më duhet konfirmimi i bordit. Ngriti telefonin dhe improvizoi sikur po fliste me drejtorin e Bordit, për të kërkuar lejen e transaksionit. Por nga ana tjetër e telefonit përgjigja ishte negative. Gjoja i zhgënjyer i kërkoi Bordit qe ta shqyrtonte sërish vendimin. Por sërish përgjigja qe negative.

Përplasi telefonin në tavolinë duke bërë si i inatosur me bordin për t’u shfajësuar para biznesmenëve të tjerë. “I kam duart e lidhura- tha. Nuk më lejon Bordi të jem pjesë e marrëveshjes.” Të gjithë biznesmenët në atë sallë e dinin mirë se Bordi ishte justifikim kot.

Kompanitë në Shqipëri janë biznese individuale, ku vendimet i merr pronari, ndërsa bordet, edhe kur ekzistojnë, jane fiktive, të përbëra nga familjarët ose vartësit e pronarit. Edhe në këtë rast, personi nga ana tjetër e telefonit ishte një familjar, që nuk do të guxonte kurrë të kundërshtonte vendimin individual të pronarit. Por strategjia rezultoi efektive. Biznesmeni në fjalë ishte i vetmi që shpëtoi. Gjithë të tjerët humbën miliona euro, pasi më pak se një vit pas transaksionit, kompania u shit me 20 për qind te çmimit që u ble.

Tani imagjinoni për një moment një skenë të ngjashme.

Edi Rama që merr në telefon Albana Ficon duke i kërkuar leje që të bëjë më shume testime për virusin dhe zonja Fico që i përgjigjet: “Në asnjë mënyrë. Komiteti Teknik është kundër testimeve masive dhe nuk do ta lejojë këtë.”

Pas mbylljes së telefonit, kryeministri që nuk pyet për Kushtetutën dhe ligjet, të cilat i shkel lehtësisht edhe me postime nga Facebooku, detyrohet të bindet.

Testimet nuk i lejojnë Mira Rakacolli me Albana Ficon. Kryeministri i ka duart e lidhura.