Masat ndaj efekteve financiare të pandemisë/ Vendet e G7-ës zhvilluan një konferencë online

Drejtuesit e financave të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, ranë dakord të martën mbi nevojën për të ofruar ndihmë financiare dhe teknike për ekonomitë në zhvillim, që luftojnë me pasojat nga pandemia e koronavirusit, tha ministri japonez i Financave, Taro Aso.  

Drejtuesit e financave të G7 diskutuan nevojën për një përgjigje të koordinuar mes tyre, për të trajtuar dëmet që kriza shëndetësore po i shkaktonte ekonomisë globale, u tha Aso gazetarëve, raporton Rel.  

"Nuk ka dyshim se ekonomia globale do të vijë nën presion nga pandemia e koronavirusit", tha ai.  

Ministrat e finanacave të vendeve anëtare të G7-ës mbajtën një konferencë online.  

Më 20 mars Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, anuloi samitin e G7-ës, për shkak të krizës me koronavirus.  

Ishte paraparë që samiti të mbahej në qershor, në Kamp Dejvid, pranë Uashingtonit.  

G7-ta përbëhet nga: Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.  

Të gjitha këto shtete po luftojnë për frenimin e pandemisë.  

SHBA-ja mban udhëheqjen e G7-ës gjatë vitit 2020.