Edi Rama kërkoi 100 mijë euro dëmshpërblim nga Bild?!

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar si dëmshpërblim nga gazeta gjermane "Bild" plot 100 mijë euro.

Kështu shprehet gazetari Basir Çollaku në një shkrim të tijin ku shpjegon të gjitha përpjekjet e shefit të qeverisë për t'ia arritur qëllimit.

Sipas Çollakut, si në gjykatën e Frankfurtit dhe në atë të Hamburgut, Rama ka dalë i humbur.

Ja çfarë shkruan gazetari Basir Çollaku:

Edi Rama ka kërkuar rreth 100 mijë euro dëmshpërblim ndaj Bild, për publikimet e saj, me pretendimin se nuk qëndronin dhe ishin të pavërteta. Kjo ka qenë kërkesa fillestare, e cila më pas është vetërrëzuar po nga Rama, duke u tërhequr. Ky veprim ka ndodhur, pasi ai ka marrë këshillën e përfaqësuesve të tij ligjorë, për mossuksesin e padisë në gjyq. Ndoshta Km duhej të bëjë një transparencë për këtë procedurë. Mundet të ketë paguar dhe një tarifë fillestare, për pretendimin e tij financiar si dëmshpërblim në këtë mosmarrëveshje.

Në Frankfurt dhe në Hamburg, përpjekjet e Ramës kanë qenë për dy pretendime rreth asaj çfarë është publikuar në gazetën gjermane. Kreu i qeverisë, ka menduar që materialin e së përditshmes gjermane, ku flitej për Mafian, drogën, lidhjet e tij, qeverisë së tij me këtë lloj pushteti kriminal ta ketë si padi të parë. Këtë përpjekje fillestare pa sukses, ai e ka bërë në Hamburg. Gjykata kanë dhënë përgjigjje se nuk ka tashmë një process pezull, rreth kësaj ngjarjeje.

Më vonë është rikthyer në Frankfurt më një tjetër ankesë. Këtë herë për shkrimin e Bild Zeitung, me 17 qershor 2019, ku kryeartikulli fliste për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2016 në Dibër, shoqëruar me kaseta përgjimesh dhe dokumenta zyrtare. Në këto episode të përgjimeve të transmetuara, janë shumë zyrtarë, deputetë, minsitra, të cilët tregojnë mes tyre hapur, skemën e manipulimit dhe vjedhjes zgjedhore të vitit 2016.

Në njërin nga momentet e publikuara është kryeministri Edi Rama, telefonuesi me njërin prej drejtuesve të partisë në qark, drejtorin Arben Keshi, si menaxher i fushatës zgjedhore për socialistët, në qarkun ku po bëheshin zgjedhjet e pjesshme. Aty ai raporton të kryetari i Partisë Socialiste, kryeministri i vendit, Edi Rama, se kanë realizuar qëllimet e synimet e vendosura sipas planit.

Në këtë përgatitje për proces gjyqsor kundër Axel Springer, Rama duhej të përgjigjej se çfarë dinte për këtë manipulim elektoral dhe a gjendej ai i përfshirë në të?

Duket se përballja paraprake në Gjykatë, mes përfaqësuesve të palëve, Bild-Rama, ku do të vendosej ecuria, ka ngjarë të jetë e pafat për Edi Ramën. Peter Tiede, autori i reportazheve, shkrimeve, publikimeve, redaksia e tij, kishin mbledhur prova, fakte, dëshmi, material zyrtare nga drejtësia shqiptare, të cilat kanë qenë shumë herë më bindëse për të cilësuar korrekt dhe të vërtetë botimin e bërë. Ajo çfarë është paraqitur nga Rama në gjykatat gjermane, nuk ka qenë e mjaftueshmë për të krijuar një situatë ndryshe nga sa ka raportuar Bild. Në këto rrethana, kryeminsitri mbasë bën zgjedhjen e këshilluar nga ekspertet e kontraktuar gjermanë, tërhiqet. Gjyqi këtu cilësohet i mbyllur, bashkë me dosjen e nsiur për të shkuar më tej. Ky dorëzim përballë drejtësisë në dy gjykata, në Hamburg dhe Frankfurt, ku ai besonte se do të dilte fitues, është një pranim i vendimmarrjes paraprake. Në këtë përplasje me medien gjermane, mosvazhdimi procesit e bën Ramën, si dëshmitarin kryesor të kësaj të vërtete të botuar në disa ditë rradhazi nga Bild gjatë vitit 2019.