‘Vendimi më i madh në jetë’/ Trump bëhet gati për rihapjen e vendit

Presidenti amerikan, Donald Trump, që ka paralajmëruar disa javë më parë se ka frikë se kura ndaj koronavirusit mund të jetë më e rëndë se vetë sëmundja, po bëhet gati për vendimin e madh. Ai pritet të vendosë për hapjen e ekonomisë amerikane, që ka marrë një goditje të rëndë nga kriza e koronavirusit.

Ekonomia ka humbur mbi 16 milionë vende pune brenda tri javësh dhe Trump është përpara një vendimi të vështirë pasi rihapja e ekonomisë mund ta ndezë epideminë vrastare të virusit të ri. Fox News shkruan se Trump është shprehur se ky është vendimi më i rëndësishëm i jetës së tij.

“Nëse do ishte për mjekët, ata mund të thonë le ta mbajmë mbyllur ekonominë- të mbyllim mbarë botën. Por kjo nuk mund të bëhet me ekonominë më të madhe në botë,” tha Trump para disa kohësh. Megjithatë me kalimin e ditëve, ai është shprehur se do të konsultohet me njerëz të zgjuar për këtë vendim.

Republikani deklaroi të hënën në konferencën e përditshme, se administrata e tij po finalizonte planin për rihapje të ekonomisë amerikane, e cila është dëmtuar rëndë për shkak të krizës.

Ai sinjalizoi se 1 Maji mund të jetë një datë e mundshme kthese. Por kur gazetarët ngritën dyshimet mbi faktin nëse Trump ka autoritetin për t’iu imponuar autoriteteve lokale lidhur më urdhrin e qëndrimit në shtëpi, ai u kundërpërgjigj. “Po jua them shumë thjeshtë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka autoritetin të marrë vendimet. Është ai që vendos”, tha Donald Trump.

Por Kushtetuta amerikane thekson se janë shtetet ato që ruajnë rendin dhe sigurinë e publikut, edhe ekspertët ligjorë pohojnë se presidenti nuk ka autoritetin për të përmbysur kufizimet e shëndetit publik, të vendosura nga shteti apo në nivel lokal.

Numri një i Uashingtonit u përplas edhe me mediat, duke i kritikuar për mënyrën se si kishin raportuar lidhur me krizën.

Ndërkohë, guvernatorët e disa shteteve po diskutojnë rinisjen e aktivitetit ekonomik, pa u konsultuar me administratën Trump. Zyrtarë në Nju Jork, Nju Xhersi, Rode Island, Konektikat, etj premtuan se do të kenë një rihapje të përmbajtur, edhe pse nuk caktuan një afat.

Shtetet e Bashkuara janë tashmë epiqendra e pandemisë së koronavirusit me mbi 680 mijë raste dhe më shumë se 23 mijë e 600 vdekje të konfirmuara. Vetëm Nju Jorku ka gati 200 mijë të infektuar dhe mbi 10 mijë vdekje, por guvernatori Andrew Cuomo pretendon se më e keqja ka kaluar.