Veterineri vizionar ndihmoi një vend të mos ketë vdekje nga korona

Nga Daniel Boffey, Guardian

Një shkencëtar, që e përshtati laboratorin e tij veterinar për të testuar sëmundjet mes njerëzve në vend të sëmundjeve të salmonit, po vlerësohet si njeriu që shmangu vdekjet nga koronavirusi në Ishujt Faroe, ku një pjesë e madhe e popullsisë janë testuar në krahasim me kudo tjetër në botë.

Arkipelagu në veri të Atlantikut ka aktualisht vetëm një person në spital me koronavirus dhe është një nga tre shtetet evropiane, bashkë me Gjeorgjinë dhe Lihtenshtejnin, ku nuk ka pasur vdekje nga virusi.

Kryeministri i vendit, Barour a Steig Nielsen, shpalli se 20 prilli do jetë data kur do të fillojë mësimi në shkolla dhe kopshte.

Suksesi i kësaj qasje, sipas politikanëve vendorë, vjen për shkak të vizionit të veterinerit Debes Christiansen, kreu i Departamentit për Sëmundjet e Kafshëve dhe Peshqve në kryeqytetin Torshavn.

Christiansen kishte paralajmëruar qeverinë që në fillim të janarit që të përgatitej për mundësinë e përhapjes së sëmundjes nga Kina.

Laboratori i tij, që ka për qëllim primar testimet e salmonit për infeksione virale, u përshtat me pajisje shtesë për testimin e njerëzve. Në këtë laborator janë kryer testime masive për salmonët që kur mes tyre shpërtheu një virus që po i shkatërronte në vitin 2001. Nga të ardhurat totale të eksporteve të arkipelagut, 90 përqind vijnë prej peshqve dhe 50 përqind nga salmoni.

Sipas të dhënave, 10 përqind e popullsisë prej 61 mijë banorë është testuar për koronavirus. Mjekët kanë qenë në gjendje të gjurmojnë dhe të karantinojnë këdo që ka qenë në kontakt me 184 personat e testuar pozitiv me virus. Prej tyre, 131 janë shëruar plotësisht.

Christiansen i tha Guardian se ka qenë e lehtë që të përshtaste laboratorin e tij. “E vetmja gjë që ndryshova ishin disa përbërës. Në punën tonë normale është specifike të testojmë për viruset dhe bakteret e peshqve. Në rastin konkret ndryshova tre komponentë specifikë për koronavirusin”.

Christiansen tha se laboratori i tij mund të kryejë deri në 1 mijë testime në ditë nëse kërkohet.

“Të gjithë po flasin për shifrat e zeza të atyre pacientëve që nuk shfaqin simptoma, por ne kemi testuar më shumë se 10 përqind të popullsisë, kështu që nuk mendoj se nuk ka njerëz që janë vërdallë me infeksion”.

Kristina Hafoss, një deputete e opozitës, që ka qenë ministre e Financave deri në vitin 2019, vlerësoi Christiansen për veprimet e shpejta dhe qeverinë që ngriti një laborator të testimeve të shpejta në kryeqytet dhe një karantinë te hoteli i aeroportit.

“Gjurmimi dhe zbulimi ka qenë një pjesë e rëndësishme. Kemi arritur që të testojmë të gjithë pozitivët dhe ata që kanë qenë të prekur. Ata janë vendosur në karantinë për dy javë”.