Shefi i Infektivit në Itali: Jam kundër rifillimit të kampionatit, futbolli është sport kontakti

Shefi i Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Itali, Giovanni Rezza ka ndezur polemikat në botën e futbollit, pasi ka deklaruar se në kushtet që ndodhet vendi, është e pamundur për të menduar për rifillimin e sezonit.

Në një intervistë për mediat italiane, Rezza deklaroi se se futbolli është sport kontakti dhe se rrit ndjeshëm mundësitë e infektimit, ndaj do të ishte e vështirë që të miratohej rifillimi i ndeshjeve në një kohë të shpejtë.

“Futbolli është një sport kontakti dhe do të rriste ndjeshëm rrezikun e transmetimit. Kam parë disa protokolle shëndetësore të veçanta, por më duket herët për të menduar për këtë. Unë nuk do të jepja miratimin për rifillimin e kampionatit kaq shpejt dhe besoj se të njëjtin mendim ndan edhe Komiteti Shkencor, por në fund vendimin do ta marrë politika”, deklaroi Rezza.

I menjëhershëm ishte reagimi i klubit të Lazios, që nëpërmjet shefit të komunikimit publik, Arturo Diaconale, i sugjeroi Rezzës të merrej me kërkimet për gjetjen e vaksinës, më mirë sesa të japë mendime për futbollin./ss