Vaksina, në fund të prillit nisin testimet te njerëzit

Në fund të prillit pritet të nisin testimet e përshpejtuara për vaksinën kundër koronavirusit, shkruan gazeta italiane, Repubblica.

Sipas saj, testimet do të kryhen mbi 550 vullnetarë të shëndetshëm. Vaksina po prodhohet nga kompania Advent-Irbm në bashkëpunim me Institutin Jenner të Universitetit të Oksfordit në Angli.

Lajmin e bëri të ditur drejtori i kompanisë Advent-Irbm, Piero di Lorenzo.

“Qëllimi është që vaksina të jetë në përdorim që në shtator, për të vaksinuar profesionistët e shëndetit dhe ata të forcave të rendit fillimisht”.

Lorenzo lajmëroi po ashtu se po zhvillohen negociata edhe për një kredi nga investitorë ndërkombëtare dhe qeveri të interesuara për të nisur prodhimin industrial të vaksinës.

“Është vendosur të kalohet direkt në testimin njerëzor në Angli duke marrë në konsideratë efikasitetin e vaksinës dhe jo-toksicitetin e saj, bazuar në rezultatet laboratorike, që kanë qenë veçanërisht të efektshme”, tha ai.