Edi Rama, i pari për propagandë, i fundit në rajon për financime

Karantinë, testime dhe mbështetje financiare (K-T-M). Ky është trinomi i kurës së zbatuar deri më tani në të gjithë vendet e botës kundër pandemisë së Covid 19. Ndërsa dy të parat kanë të bëjnë ekskluzivisht me shëndetin, masa e tretë është më e gjerë sepse ndikimi i saj në jetët e secilit shkon edhe më përtej, është një masë për të mbështetur ekonominë e ndaluar me dhunë të funksionojë, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Të tre masat janë të ndërlidhura ngushtë ndërmjet tyre pasi pa shëndet nuk mund të ketë kuptim ekonomia ashtu siç është e vërtetë edhe e kundërta, pa ekonomi s’ka as shëndet. Tre masat përbëjnë një paketë shpëtimi e cila duhet të jetë në harmoni. Secili prej komponentëve të saj duhet të jetë në ekuilibër me të tjerët. Kudo në botë ky është një diskutim i madh në të cilin janë përfshirë të gjithë nga politikanët, intelektualët deri tek mjeku më i thjeshtë.

Po në Shqipëri? Po e shohim përditë e më shumë se trajtimi i pandemisë është personalizuar për sa ka patur mundësi nga Edi Rama, i cili nuk ka nguruar t’u kujtojë njerëzve në daljet e tij të pandërprera publike se: “po të mos isha unë kushedi sa do kishin vdekur!”. Pra një “gjysëmperëndi” dhe jo një shërbetor i qytetarëve të vet. Pse ndodh kështu? Sepse realiteti është krejt tjetër!

Në realitet, Rama ka mbetur vetëm tek ‘K’, karantina – komponenti i parë i trajtimit të pandemisë. Ka mbyllur me sukses dhe dhunë psikologjike njerëzit brenda dhe ka harruar se detyra e tij është shumë më tepër. Kjo, pasi “lau duart” me testimet duke ja faturuar ekspertëve. Prej tyre, për fat të keq pati edhe nga ata që thanë se nuk duhen më shumë, një deklaratë që cudit këdo në botë, ku po ndodh e kundërta. Me ‘T’ – testime mininimale Rama shënon çekuilibrimin e parë të rëndë në trajtimin e Covid 19.

Ndërkohë që bota është në një fazë se si do të bëhet dalja nga kjo pandemi, organizmat ndërkombëtare dhe qeveritë e vendeve nga më të mëdhatë deri tek më të voglat, kanë akorduar për familjet, të punësuarit dhe bizneset paketa ndihme financiare të papara ndonjëherë në histori. Është masa e parë emergjente për ekonominë, e cila, nuk dihet prej askujt se sa do ta vuajë këtë krizë. Mbështetja e menjëhershme pritet të përcaktojë fatet e të ardhmes për mijëra njerëz dhe biznese, që janë në dilemën e mbijetesës.

Trajtimi i çekuilibruar i Edi Ramës për këtë pandemi del zbuluar, pikërisht tek mbështetja financiare e dhënë për familjarët dhe bizneset. Krahasuar me vendet e rajonit, të cilat kanë një ekonomi të ngjashme me tonën, ajo që Rama ka dhënë është dëshpërimisht shumë më pak.

Le të bëjmë krahasimin me shifrat zyrtare në rajon:
Shqipëria: Mbështetja zyrtare 370 milionë dollarë. Nga kjo shumë, 25 milionë janë për shëndetësinë, 100 milionë për kompanitë që nuk mund të paguajnë të punësuarit e tyre; 65 milionë për shtresat në nevojë… dhe 150 milionë dollarë kamat –vonesa për energji elektrike. Faktikisht mbështetja e qeverisë është vetëm 65 milion euro, sepse edhe 100 milion eurot për biznesin janë garanci kredie. 370 milion dollarë janë 2.3 për qind e GDP, mbështetja reale është shumë më pak se aq.

Kosova: Mbështetja e emergjencës nga buxheti i shtetit 180 milionë euro. (tre here më shumë se Shqipëria). Politikat e mbështetjes tatimore kapin shumën 200 milionë euro të tjera. Pra në total 380 milion euro.

Maqedonia e Veriut: Buxheti subvencionon drejtpërdrejt 14.500 denarë (ose 250 euro) në muaj për çdo të punësuar, për muajt prill dhe maj, për të gjithë ndërmarrjet e prekura nga kriza. Përfshihen në këtë masë 87 përqind e ndërmarrjeve ose rreth 35.000 ndërmarrje me rreth 250.000 vende pune. Buxheti subvencionon gjithashtu për çdo punëtor të siguruar, për muajit prill dhe maj kontributet për sigurim të detyrueshëm social në shumën prej 50 përqind. Pagesat prej 14.500 denarë ose 250 euro në muajt prill maj përfshijnë edhe personat fizike dhe të vetëpunësuarit.

Mali i Zi: Edhe ky vend ka një politikë të gjerë subvencionesh buxhetore. Pa dhënë shifra konkrete kryeministri i vendit Dushko Markoviç ka njoftuar më 9 Prill se buxheti i shtetit do të subvecionojë për muajt prill dhe maj 2020, 70 përqind të pagës minimale dhe 100 për qind të taksave dhe kontributeve në pagën minimale për secilin punonjës të regjistruar në sektorët që u desh të mbylleshin me urdhër, si dhe 50% të pagës minimale bruto për secilin punonjës të regjistruar në sektorët ku puna është në rrezik, subvencion 70% të pagës minimale bruto për secilin punonjës që duhej të qëndronte në shtëpi për t’u kujdesur për një fëmijë nën 11 vjeç, subvencione për pagat e punonjësve në karantinë ose izolim gjithashtu për muajin prill dhe maj të vitit 2020 në shumën prej 70% të pagës minimale bruto,

Subvencione për çdo punonjës të ri në shumën prej 70% të pagës minimale bruto për të paktën 6 muaj për sipërmarrësit, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilët regjistrojnë punonjës të rinj në prill. Përjashtim të pagesës së një pjesë të faturës së energjisë elektrike për muajt prill, maj dhe qershor, për ndërmarrjet që janë ndaluar të punojnë me urdhër dhe dyfishim subvencioni për familjet për faturat e energjisë elektrike dhe së fundi 50 euro subvencion për cdo të papunë.

Serbia: Ky vend ka një program edhe më spektakolar të mbështetjes financiare për pandeminë. Sipas asaj që ka njoftuar ministri i financave më 5 prill, paketa e mbështetjes për të lehtësuar efektet e epidemisë së koronavirusit mbi ekonominë, kap vlerën 5.1 miliardë euro. Të gjithë qytetarët serbë në moshë pune do të marrin ndihmë të drejtpërdrejtë në shumën 100€ nga buxheti i shtetit. Për sektorin privat ka një mbështetje masive të likuiditetit me 2.2 miliardë euro. Qeveria ka planifikuar gjithashtu një skemë garancie me bankat tregtare në vlerë 2 miliardë euro. Shteti do të paguajë drejtpërdrejt në llogaritë e tyre 750 euro, për secilin punonjës të këtyre kompanive të bllokuara me urdhër. Ministri i financave ka thënë se brenda kornizës së politikës tatimore, shteti ka miratuar tre masa për të mbështetur ekonominë, që do të thotë se ajo do të përballojë kostot e taksave për ndërmarrjet në vlerën 1.3 miliardë euro.

Është e kotë të shkosh në Kroaci, një vend anëtar i BE, e cila më 20 mars miratoi paketën e ndihmës buxhetore me vlerë mbi 3.9 miliardë euro, apo në Greqi ku vetëm për personat fizikë në profesionet e pavarura buxheti do të japë 600 euro për person, në vlerën totale 180 milion euro, pa përmendur se vetëm për mbështetjne e biznesit paketa totale është 2 miliardë euro. Dhe ta mendosh të gjithë këto paketa ndihme financiare, që janë përdorur në rajonin tonë, janë shumë të vogla po të krahasohen pastaj me ekonomitë e mëdha që kapin vlera me triliona USD, të tilla: SHBA 14 për qind e PBB, Gjermani e Francë me respektivisht 11% dhe 7% e PBB.
Tani le të kthehemi edhe një herë si përfundim në Shqipëri: KKK. Karantinë, karantinë, karantinë! Zgjidhja që na ka dhënë Rama deri sot, nëse nuk shoqërohet me masat e tjera, ndoshta të shpëton nga infeksioni, por të vret nga uria!

Paketat e mbështetjes financiare për biznesin dhe familjarët

Shqipëri: 165 milionë euro

Kosova: 380 milion euro

Maqedonia e Veriut: 250 milion euro (për prill-maj)

Mali i Zi: Subvencione për të gjithë

Serbia: 5.1 miliardë euro

Kroaci: 3.9 miliardë euro (në mars)

Greqia: 5 miliardë euro

Mapo.al