Dy 'fytyrat' e Veliajt, reklamon ujin e rubinetave, por vetë e blen

Po bën xhiron në rrjetet sociale videoja ku shfaqet kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj teksa deklaron se edhe ai vetë e blen ujin e pijshëm.

Deklarata e bujshme, që do të trondiste çdo kryebashkiak dhe që vjen në një kohë kur qytetarët rrinë të mbyllur në banesa për shkak të pandemisë, u bë për më tepër live në një studio televizive.

"U zgjova herët se na kishte mbaruar uji e shkova bleva", do të thoshte Veliaj gazetarit Enkel Demi.

Po pse u përhap me shpejtësi në rrjet?

Erion Veliaj, që njihet për daljet e tij televizive "të kuruara" mirë dhe që shpërndahen shumë shpejt në televizione e portale, do të shprehej pak kohë më parë se, uji që vjen në rubinetat e qytetarëve të Tiranës jo vetëm që është i pijshëm, por edhe i mirëkontrolluar dhe i certifikuar nga specialistët.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse kryebashkiaku detyrohet ta blejë ujin për familjen e tij? A është ky një tjetër lajm i keq në një periudhë pandemie ku higjena është thelbësore? A ka një shembull të ngjashëm në Europë, të cilat Veliaj i referohet shpesh, ku kryebashkiaku detyrohet të blejë ujë sepse ose nuk ka në rubineta, ose ai që vjen është i papijshëm?... /A.R, Syri.net